Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka bërë një deklaratë tronditëse për mediat, duke akuzuar një klan kriminal ndërkombëtar, të drejtuar sipas tij nga shtetasi shqiptar Dritan Gjika, për një tentativë për atentat ndaj jetës së tij.
Sipas presidentit Petro, grupi në fjalë është i përfshirë në aktivitete të rënda kriminale, përfshirë trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash, dhe ka operuar në mënyrë të sofistikuar në disa vende të Amerikës Latine dhe Evropës.
“Kemi prova të qarta për një plan të rrezikshëm që synonte të më eliminonte fizikisht. Pas këtij komploti qëndron një rrjet i organizuar ku identifikohet qartësisht emri i Dritan Gjikës, i lidhur me grupe kriminale që kanë depërtuar në sistemin ekonomik dhe politik të rajonit,” – deklaroi presidenti Petro gjatë një konference për shtyp.
Autoritetet kolumbiane po bashkëpunojnë me agjenci ndërkombëtare të sigurisë për të hetuar në thellësi rrjetin e dyshuar kriminal. Mediat lokale raportojnë se emri i Dritan Gjikës ka dalë edhe më herët në dokumente të ndryshme të antimafias europiane, si një figurë kyçe në rrjetet e trafikut të drogës nga Amerika Latine në Evropë, përmes rrugëve detare dhe korridoreve të Ballkanit.
Ndërkohë, nuk ka ende një reagim zyrtar nga shtetasi shqiptar apo përfaqësues të tij ligjorë përballë këtyre akuzave të rënda. /Versus.al







