Ditëve të fundit, vendet nordike dhe baltike kanë raportuar për dronë në hapësirat e tyre ajrore të cilët dyshohet se vijnë nga Rusia. Së fundmi, të njëjtin problem e ka patur edhe Kosova, në hapësirën ajrore të së cilës janë regjistruar fluturime me dronë në pjesën veriore të vendit.
Dyshimet janë se dronët vijnë nga Serbia. Ndërsa drejtori i policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka deklaruar se policia ka njoftuar KFOR-in dhe se po kryhen monitorime të vazhdueshme të situatës.
“Kohën e fundit kemi pasur fluturime të dronëve që ne po dyshojmë që po vijnë nga territori i Serbisë në pjesën veriore të Kosovës. Policia është në kontakt me KFOR, jemi duke bërë monitorimin dhe me pa se çfarë mund të bëhet”, tha Hoxha pas ceremonisë së shkatërrimit të armëve
Sipas tij, ekziston rreztiku për pjesën e kufirit, por jo për qytetarët të cilët janë të mbrojtur nga institucionet.
“Është e rrezikshme për pjesën e kufirit po, por për qytetarët tanë jo, ne jemi duke i mbrojtur po ashtu. Ndërsa hapësira ajrore është përgjegjësi e KFOR”, u shpreh Hoxha.
Më tej theksoi se për këtë ngjarje janë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare dhe se përgjegjësia për veprim i takon KFOR-it në rast të shkeljeve nga ana e serbëve. Versus.al







