I themeluar në vitin 1926, Kampi Mystic është një kamp veror për vajza, i vendosur përgjatë lumit Guadalupe në Texas. Qëllimi i tij ka qenë gjithmonë t’u ofrojë vajzave të reja një përvojë në një “mjedis të shëndetshëm të krishterë”, siç përshkruhet në faqen zyrtare.
Më 4 korrik, në orët e para të mëngjesit, kampi u godit rëndë nga përmbytjet që prekën pjesë të mëdha të Teksasit. Në atë moment, në kamp ndodheshin mbi 700 vajza, vetëm pak ditë pasi kishte nisur sesioni i dytë katër-javor i verës. Sipas nën-guvernatorit të Texas-it, Dan Patrick, dhjetëra persona u përfshinë në tragjedi, duke përfshirë edhe viktima dhe të zhdukur.
Si ishte Kampi Mystic para përmbytjeve?
Kampi ndodhet rreth 135 kilometra në veriperëndim të San Antonio-s, në një zonë të bukur natyrore me pisha, lisa dhe arra. E themeluar nga E.J. “Doc” Stewart, një ish-trajner i ekipit të futbollit Texas Longhorns, kampi është ndërtuar për të edukuar vajzat përmes aktivitetit fizik, jetës në natyrë dhe vlerave shpirtërore.
Përveç tre viteve gjatë Luftës së Dytë Botërore kur u përdor si qendër rikuperimi për veteranët e ushtrisë, kampi ka funksionuar çdo verë. Që nga viti 1939, ai është në pronësi të familjes Eastland, aktualisht i menaxhuar nga Dick dhe Tweety Eastland, të cilët kanë ruajtur traditat e kampit: hark, kanoe, hipizëm, punëtori arti dhe sporte.
Motoja e kampit është: “Të bëhesh person më i mirë”, “Të nxjerrësh më të mirën nga vetja” dhe “Të rritesh shpirtërisht”.
Bilanci i përmbytjes – 27 vajza ende të zhdukura
Përmbytja ndodhi papritur dhe zuri në befasi kampin dhe vajzat e reja që ishin aty. Deri tani janë konfirmuar të paktën 51 viktima, përfshirë 15 fëmijë dhe drejtoreshën e kampit. Autoritetet njoftojnë se 27 vajza vazhdojnë të jenë të zhdukura dhe ekipet e kërkimit janë ende në terren.
Numri i të vdekurve nga përmbytjet e menjëhershme në Teksas, në jug të SHBA-së, është rritur në 51, thanë autoritetet të shtunën në mbrëmje.
Përmbytjet u shkaktuan nga shirat e rrëmbyeshëm që goditën pjesë të Teksasit qendror të premten, Ditën e Pavarësisë për SHBA-në.







