Një hetim i Prokurorisë së Milanos ka zbuluar një nga faqet më të errëta të luftës në Bosnje.
Sipas të dhënave të para, disa shtetas italianë dyshohet se paguanin shuma të mëdha parash nga 80 deri në 100 mijë euro me vlerën e sotme për të marrë pjesë në ashtuquajturin “safari lufte” mbi kodrat e Sarajevës, ku qëllonin mbi civilë të paarmatosur gjatë rrethimit të qytetit (1992–1996).
Hetuesit italianë dyshojnë se midis snajperëve përgjegjës për mijëra viktima ishin edhe italianë, jo si ushtarë, por si “turistë lufte” që udhëtonin çdo fundjavë nga Trieste drejt Bosnjës për të marrë pjesë në këtë gjueti makabre njerëzish.
Prokuroria e Milanos ka hapur çështje për vrasje me dashje, e rënduar nga mizoria dhe motivet e ulëta, ndërsa prokurori Alessandro Gobbis po heton për të identifikuar shtetasit italianë që midis viteve 1993 dhe 1995 kanë paguar për të “luajtur luftë” dhe për të vrarë civilë të pafajshëm “për argëtim”.
Dëshmitarë pohojnë se disa prej tyre paguanin më shumë për të qëlluar mbi fëmijë, një “çmim çnjerëzor” që trondit çdo ndërgjegje.
Midis të përfshirëve dyshohet të ketë pasur persona nga Lombardia, Piemonte dhe rajoni i Trivenetos, përfshirë edhe një biznesmen milanez, pronar i një klinike private në atë kohë.
Të gjithë me profil të ngjashëm: simpatizantë ose ish-politikanë të ekstremit të djathtë, me pasion për armët dhe në kërkim për adrenalinë.
Prokuroria dhe njësia speciale e karabinierëve (ROS) kanë përgatitur tashmë një listë dëshmitarësh.
Ndër ta është një ish-oficer i shërbimeve sekrete të Bosnjës, i cili ka deklaruar se ka dëgjuar personalisht nga një ushtar serb të kapur se “gjuetarët” transportoheshin nga Beogradi, ku mbërrinin me linjën ajrore serbe Aviogenex me bazë në Trieste, drejt kodrave mbi Sarajevë.
Në mesin e dëshmitarëve është gjithashtu dhe një ish-zyrtar i shërbimeve sekrete sllovene, prindërit e një vajze njëvjeçare të vrarë në “sniper alley” (rruga e snajperëve) dhe një zjarrfikës i plagosur, i cili kishte rrëfyer për “snajperistë turistë” edhe në procesin ndaj Slobodan Milošević në Hagë.
Në hetim mund të thirret edhe regjisori slloven Miran Zupanić, autor i dokumentarit Sarajevo Safari, i cili përmes dëshmive dhe rrëfimeve autentike kishte zbuluar historitë tronditëse të këtyre krimeve.
Kjo çështje është rikthyer në vëmendje edhe falë një kallëzimi të bërë nga shkrimtari Ezio Gavazzeni, në bashkëpunim me avokatin Nicola Brigida dhe ish-gjyqtarin Guido Salvini, si dhe me mbështetjen e ish-kryetares së bashkisë së Sarajevës, Benjamina Karić.
Ajo ka kërkuar zyrtarisht që Sarajeva të njihet si palë e dëmtuar në proces dhe që “të hetohen e të sillen para drejtësisë përgjegjësit e këtij krimi çnjerëzor, ata që sipas një zyrtari të shërbimeve sllovene paguanin më shumë për të vrarë një fëmijë”.
Hetimi i Milanos synon tani të nxjerrë në dritë të vërtetën për një nga episodet më të tmerrshme të luftës në Ballkan një realitet që tregon se për disa, tragjedia njerëzore ishte kthyer në një lojë gjakatare për argëtim./Marrë nga Republicca.it
