Një ngjarje e rëndë ka tronditur ambientet e burgut të Pratos në Itali, ku Vasile Frumuzache, 32-vjeçar me origjinë rumune, i akuzuar për dy vrasje të rënda dhe fshehje kufome, është sulmuar brutalisht nga një tjetër i burgosur. Sipas autoriteteve italiane dhe burimeve brenda institucionit penitenciar, agresori është një i afërm i Ana Maria Andrei, një nga viktimat e dyshuara të Frumuzachet, e zhdukur dhe e vrarë në vitin 2024.
Sulmi, i kryer me vaj të nxehtë të hedhur në fytyrë, i ka shkaktuar Frumuzachet djegie të shkallës së parë dhe të dytë. Ai është dërguar me urgjencë në spitalin e Pratos, ku po trajtohet për plagët serioze që ka marrë.
Prokurori i Pratos, Luca Tescaroli, e ka cilësuar ngjarjen si një “fakt veçanërisht serioz”, duke shprehur shqetësimin për mungesën e kontrollit dhe ndërhyrjes nga ana e stafit të burgut. “Çdo person, pavarësisht nga krimet që mund të ketë kryer, ka të drejtën për t’u trajtuar me njerëzi dhe për t’u mbrojtur. Askush nuk duhet të përballet me dhunë jashtë ligjit,” u shpreh Tescaroli për mediat italiane.
Frumuzache ndodhet aktualisht në paraburgim për vrasjen e Denisa Maria Ada, një grua e re që punonte si prostitutë. Gjatë hetimeve, ai ka rrëfyer përfshirjen e tij edhe në vrasjen e një tjetër gruaje, Ana Maria Andrei, e zhdukur një vit më parë. Por zhvillimet e fundit kanë thelluar më tej dyshimet ndaj tij.
Hetuesit italianë kanë kryer një kontroll të imtësishëm në banesën e të dyshuarit në Monsummano Terme, në provincën e Pistoias, ku janë gjetur prova të reja që mund të hedhin dritë mbi raste të tjera ende të pazbardhura. Sipas burimeve pranë prokurorisë, ekziston mundësia që Frumuzache të jetë i përfshirë në një seri më të gjerë vrasjesh, përtej dy rasteve të njohura deri më tani. /Versus.al/







