
Disa orë pasi presidentja Vjosa Osmani u taku me liderët e partive politike për caktimin e zgjedhjeve të reja për shkak të dështimit të seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, kryeministri Albin Kurti foli për mediat duke e kundërshtuar dekretin me argumentin se Kushtetuta nuk parashikon shpërndarjen e Kuvendit.
Duke cituar nenin 86 të Kushtetutës, Kurti thotë se Kuvendi duhet të shpërndahet vetëm në rastin kur asnjëri prej kandidatëve nuk arrin të marrë 61 vota në raundin e tretë.
“Ne nuk kemi mbërritur ende atje, dy kandidatë ishin mbrëmë, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, mirëpo nuk u konsumua as rundi i parë lëre më i treti. Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta. Nuk është përmbushur kriteri prej 60-ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars"- deklaroi Kurti.
Ndër të tjera shtoi se do të pritej vendimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë rast.
“Nevojiteshin së paku 80 deputetë pjesëmarrës në mënyrë që të plotësohet kuorumi. Të gjithë e kemi pa mbrëmë pamjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës, kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare sepse nuk ishin. Asnjë deputet që nuk erdhi nuk njoftuan kryetaren Haxhiu për arsyen e mungesës, prandaj kjo lëndë tash është në Gjykatën Kushtetuese. Është obligim kushtetues i deputetëve që të kryejnë detyrën e tyre për çka i ka zgjedhur populli i Kosovës dhe të vijnë në vendin e tyre të punës në seanca plenare dhe aty të marrin pjesë e të votojnë. Dekreti për shpërndarjen e Kuvendi nuk është kushtetuese, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuar shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përbën edhe një tjetër lëndë për Gjykatën Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbarë e mirë si gjithnjë”- shtoi Kurti. Versus.al

