Pasi u transferua nga burgu i Fushë Krujës në burgun e Peqinit, Durim Bami u mbyll në sektorin B të sigurisë së lartë për të parandaluar ndonjë ngjarje kriminale kundër tij.
Me një urdhër të brendshëm, Bami nxirret në oraret e ajrimit vetëm dhe i pashoqëruar nga të tjerët, dhe ky urdhër i dhënë policisë së burgjeve po zbatohet nga të gjitha turnet.
Të dhënat për ndonjë atentat të mundshëm mbahen sekret, por menjëherë mbasi u ekstradua nga Dubai, Durim Bami kërkoi të lirohej nga paraburgimi 313 sepse i rrezikohej jeta. Prej ditësh në burgje po kryhen kontrolle ‘’blic’’ për gjetjen e sendeve të paligjshme të futura brenda qelive.
Bami akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për disa vepra penale të kryera në kuadër të grupeve të strukturuara kriminale, përfshirë: Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, Kultivim i bimëve narkotike. Ai njihet edhe për përfshirjen në disa ngjarje kriminale, ndërsa për eliminimin e tij ishin angazhuar plot 16 grupe kriminale përfshirë edhe ish-mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Versus.al

