BOTA /

Kryeministri i Groenlandës u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për një pushtim të mundshëm nga SHBA

Shkruar nga Versus

Kryeministri i Groenlandës u bën thirrje qytetarëve të

Kryeministri i Groenlandës tha se popullsia e ishullit dhe autoritetet lokale duhet të fillojnë përgatitjet për një pushtim të mundshëm ushtarak, edhe nëse skenari mbetet i pamundur, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump vazhdon të kërcënojë se do të pushtojë territorin.

"Një konflikt ushtarak nuk është i mundshëm, por nuk mund të përjashtohet", tha kryeministri Jens-Frederik Nielsen në një konferencë për shtyp në kryeqytetin Nuuk të martën. Ai theksoi se si banorët e ishullit ashtu edhe institucionet duhet të jenë të përgatitura për çdo eventualitet.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh gjeopolitike në rritje në Arktik dhe reagimesh të forta nga qeveritë evropiane ndaj qëndrimeve mbi Groenlandën, të cilën Danimarka e konsideron pjesë integrale të territorit të saj, me një status autonomie të gjerë.

Vlen të përmendet se, përpara se të hipte në aeroplanin që do ta çojë në Davos, Donald Trump postoi një foto të gjeneruar nga inteligjenca artificiale në Truth Social, ku e paraqiste veten, zëvendëspresidentin Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio, duke pushtuar Groenlandën.

"Ne qëndrojmë fort me Groenlandën dhe Danimarkën", thotë kryeministri kanadez

Kryeministri kanadez Mark Carney, duke folur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, theksoi se "ne qëndrojmë fort me Groenlandën dhe Danimarkën dhe mbështesim plotësisht të drejtën e tyre unike për të vendosur të ardhmen e Groenlandës".

Carney theksoi se angazhimi i Kanadasë ndaj Nenit 5 të NATO-s i cili përcakton se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve konsiderohet sulm kundër të gjithëve mbetet "i palëkundur".

Në të njëjtën kohë, ai shtoi se Kanadaja "kundërshton fuqimisht" çdo vendosje tarifash për produktet nga Groenlanda./Versus.al

 

Poll