
Një sulm i rëndë i armatosur ka tronditur Universitetin Brown në Rhode Island të SHBA-së, ku dy studentë humbën jetën dhe nëntë të tjerë mbetën të plagosur, të gjithë studentë të këtij institucioni elitar. Ngjarja ndodhi në katin e parë të një ndërtese universitare, në një moment kur brenda po zhvilloheshin provimet.
Sipas autoriteteve shëndetësore, gjashtë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike, një student është në gjendje jashtëzakonisht kritike, ndërsa një tjetër raportohet në gjendje të qëndrueshme. Personi i nëntë i plagosur nuk u godit drejtpërdrejt nga plumbat, por nga shrapneli, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka publikuar pamjet e para video të personit që dyshohet të jetë autori i sulmit. Ai përshkruhet si një mashkull rreth 30 vjeç, i veshur me rroba të errëta. Deri më tani, arma e krimit nuk është gjetur, por në vendngjarje janë sekuestruar disa gëzhoja.

Autoritetet bëjnë me dije se hyrjet në ndërtesë ishin të hapura në momentin e sulmit, ndërsa për hyrjen në sallën e provimit kërkohej një kartë identifikimi, fakt që po analizohet si pjesë e hetimeve. Motivet e autorit mbeten ende të paqarta dhe nuk dihet nëse ai ka vepruar i vetëm apo me bashkëpunëtorë.
Help find this Person of Interest.
— FBI (@FBI) December 14, 2025
If you have any information, please call 1-800-CALL-FBI (225-5324) or https://t.co/iL7sD5efWD. pic.twitter.com/AkFDVtOCmw
Në hetim janë përfshirë agjenci të shumta federale, përfshirë FBI-në, ATF-në dhe Shërbimin Sekret, të cilat po asistojnë autoritetet lokale. Rreth 400 oficerë policie janë angazhuar në operacionin e gjerë për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Universiteti Brown ka pezulluar përkohësisht aktivitetet akademike, ndërsa komuniteti universitar dhe mbarë opinioni publik amerikan janë tronditur nga një tjetër akt i dhunës së armatosur në ambientet arsimore. / Versus

