
Në ditën e Kurban Bajramit, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës priti në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Takimi ceremonial nuk kaloi pa mesazhe – dhe pa ironinë e zakonshme të Myftiut Naim Tërnava.
Gjatë fjalës së tij, kreu i BIK-ut ironizoi krizën politike që ka përfshirë vendin, duke sugjeruar me humor se një ritual fetar mund të kishte më shumë sukses sesa përpjekjet politike.
“Desha t’i ftojë të gjithë deputetët e Kuvendit, ta prejmë nga një kurban. Ndoshta po ju shkon mbarë. Ndoshta hapen rrugët,” tha Tërnava, duke i dhënë një ngjyrë simbolike ngërçit institucional në vend.
Ai shtoi se kishte ngritur edhe çështjen e natalitetit në Kosovë, që sipas tij është në rënie shqetësuese:
“Kam kërkuar që kush ka 4-5 fëmijë, t’i jepet një banesë. Po zbehet Kosova, ka rënë shumë nataliteti.”
Kujtojmë se Kosova ka dështuar për herë të 27-të për konstituimin e Kuvendit. Versus.al







