Ted Turner, themeluesi i CNN dhe një nga figurat më të rëndësishme të medias moderne, është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare.
Sipas një njoftimi zyrtar, Turner u shua këtë të mërkurë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e gazetarisë.
Ai revolucionarizoi mënyrën e transmetimit të lajmeve me krijimin e rrjetit të parë 24-orësh në botë, duke ndryshuar përgjithmonë mënyrën se si publiku informohet në kohë reale.
I lindur në Ohio dhe i rritur në Atlanta, Turner ndërtoi një perandori të fuqishme mediatike. Përveç CNN, ai zhvilloi kanale të njohura televizive dhe ishte gjithashtu pronar i ekipeve sportive, përfshirë Atlanta Braves.
Përtej biznesit, ai njihej si filantrop dhe aktivist i angazhuar për çështje globale, përfshirë mbrojtjen e mjedisit dhe eliminimin e armëve bërthamore. Ai themeloi gjithashtu United Nations Foundation për të mbështetur iniciativat ndërkombëtare.
Në vitin 1991, revista Time e shpalli “Njeriu i Vitit” për ndikimin e tij global. Më vonë, ai ia shiti rrjetet e tij kompanisë Time Warner, duke u tërhequr nga drejtimi aktiv, por duke e konsideruar gjithmonë CNN si arritjen më të madhe të jetës së tij.
Në një reagim, drejtori ekzekutiv i CNN Worldwide, Mark Thompson, e cilësoi Turner si një lider vizionar që do të mbetet përherë frymëzim për gazetarinë botërore.
Në vitet e fundit, Turner vuante nga Lewy body dementia, ndërsa më herët ishte përballur edhe me probleme shëndetësore, përfshirë pneumoninë./Versus.al

