
Në Kuvendin e Kosovës është mbajtur seanca e jashtëzakonshme plenare, ku është diskutuar zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Në sallë ka qenë e pranishme vetëm mazhoranca.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se dështimi për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke theksuar se kjo do të ishte situata e pestë zgjedhore brenda 16 muajve të fundit.
Ai ka rikujtuar edhe bllokimet institucionale të vitit të kaluar, duke thënë se ato kanë sjellë pasoja për funksionimin e Kuvendit dhe progresin e vendit.
Sipas Kurtit, pas zgjedhjeve të fundit dhe formimit të qeverisë së re, procesi ka vijuar pa vonesa, ndërsa ka hedhur poshtë akuzat se mazhoranca po shmang përgjegjësitë.
Ai ka kritikuar opozitën për, siç tha, bllokimin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit për një periudhë të gjatë vitin e kaluar, duke përmendur se kjo ka sjellë vonesa të mëdha institucionale.
Kurti u shpreh se e njëjta situatë rrezikon të përsëritet edhe tani, nëse nuk arrihet një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar se kjo do të sillte pasoja për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.
Ai shprehu shpresën që përvoja e kaluar të shërbejë si mësim dhe precedent për të ardhmen.
Kurti: Dështimi në zgjedhjen e presidentit e dërgon vendin në zgjedhje të reja, duke përfshirë ato lokale të vitit të kaluar, do të ishin të pestat në radhë në 16 muaj. Mesatarisht do të kishim zgjedhje çdo stinë të vitit. Zgjedhjet e reja do të vonojnë edhe progresin në çdo sektor të jetës shtetërore. Në përputhje me interesin e qytetarëve, do të flas për këtë çështje sa më qartë, ashtu që asnjë njeri të mos keqkuptohet.
Së pari, janë bërë 75 ditë që nga krijimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit. Rezultati i zgjedhjeve u certifikua më 9 shkurt dhe dy ditë më pas, u konstituua Kuvendi dhe u krijua qeveria e re. Nuk kishte asnjë vonesë. Po e filloj me këtë se akuzat që Vetëvendosja dhe partnerët e saj ikin nga përgjegjësia nuk janë të vërteta. Sapo është certifikuar rezultati, është marrë përgjegjësia, e kundërta ndodhi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit në vitin që shkoi. Lëvizja Vetëvendosje, me koalicionin qeverisës në atë kohë pësoi rënie në disa vendeve.
Kjo bllokadë u zgjerua dhe vazhdoi me bllokimin e zgjedhjes së kryetarit të Parlamentit gjatë gjithë pranverës dhe verës. E paarsyeshme, sepse Vetëvendosja i ofroi Kuvendit gruan më të votuar në zgjedhje, njësoj si këtë vit, ku tani nuk është vetëm kryetare e Kuvendit, por edhe ushtruese e detyrës së presidentit. Duhet ta kujtojmë këtë episod, sepse Albulena Haxhiu u propozua si kryetare vitin që shkoi. Para një viti është propozuar si kryetare e Kuvendit. Nga ajo ditë, deri më 9 shkurt të këtij viti, kaluan 298 ditë ose 10 muaj. Pyetja është kujt i shërbyen këto 10 muaj bllokadë. Duke bllokuar Kuvendin, opozita bllokonte edhe veten. Qëllimi i bllokadës ishte për të dëmtuar subjektin fitues, por në të vërtetë dëmtoi qytetarët dhe shtetin. E njëjta gjë po ndodh edhe sot.
Shpresoj sinqerisht që ky mësim i shtrenjtë nga viti i kaluar të shërbejë si precedent i qartë për të ardhmen./Versus.al

