Takimi i parë mes përfaqësuesve të dy Iranit dhe ShBA në Gjenevë, i planifikuar për këtë të premte, duket se është shtyrë, duke treguar se rruga drejt një marrëveshjeje përfundimtare mbetet ende e ndërlikuar.
Sipas rrjetit libanez Al-Mayadeen, i afërt me Hezbollahun, delegacioni iranian ka pezulluar udhëtimin drejt Zvicrës për shkak të vazhdimit të operacioneve ushtarake izraelite në Libanin jugor. Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se delegacioni ishte gati të nisej dhe të merrte pjesë në raundin e parë të bisedimeve, të cilat pritet të zgjasin rreth 60 ditë, por vendosi të mos udhëtojë në momentin e fundit.
Teherani kishte paralajmëruar më herët Uashingtonin dhe ndërmjetësit se situata në Liban mbetet një element kyç i negociatave. Sipas palës iraniane, veprimet ushtarake izraelite në territorin libanez përbëjnë shkelje të marrëveshjes paraprake dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në ecurinë e bisedimeve.
Vetëm pak orë më vonë, edhe Shtëpia e Bardhë njoftoi shtyrjen e udhëtimit të zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Gjenevë. Zyrtarisht, vendimi u justifikua me “çështje logjistike të pazgjidhura” lidhur me fazën e ardhshme të negociatave.
“Planet për bisedimet teknike nuk janë finalizuar ende. Delegacioni amerikan është gati të niset sapo të përcaktohen detajet përfundimtare”, deklaroi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.
Vance kishte deklaruar më herët se synonte të merrte pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes dhe të drejtonte ekipin negociator amerikan gjatë fazës teknike të diskutimeve, e cila pritet të nisë gjatë fundjavës.
Pavarësisht shtyrjes së takimeve, tregjet financiare reaguan pozitivisht ndaj sinjaleve për një marrëveshje mes Uashingtonit dhe Teheranit. Investitorët vlerësojnë se normalizimi i marrëdhënieve mund të sjellë rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit dhe stabilizimin e furnizimit global me energji.
Bursat aziatike e mbyllën ditën në territor pozitiv, ndërsa edhe Wall Street rikuperoi pjesën më të madhe të humbjeve të ditëve të fundit. Analistët vlerësojnë se ulja e tensioneve gjeopolitike redukton rreziqet për inflacionin dhe ekonominë globale.
Reagimi më i fortë u regjistrua në tregun e energjisë. Çmimi i naftës Brent zbriti në rreth 79.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI ra në afërsisht 76 dollarë për fuçi. Versus.al

