
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja ka bërë një reagim të qartë lidhur me ngërçin politik në Kosovë ku pas 22 herësh tentativë kanë dështuar të formojnë qeverinë. Në konferencën “Kosova drejt Bashkimit Evropian: Rruga drejt një zgjidhjeje”, Orav ka thënë se BE-së i duhet partneri që të mund të bisedojë për hapat konkretë drejt integrimit.
“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere – presidenten – por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, ambasadori ka folur edhe për zhvillimet në veri. Ai ka përsëritur se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por ka thënë se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.
“Mbyllja e institucioneve në veri. Sërish, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë pozicionin e tij – në mënyrë private, zyrtare dhe publike. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu”, ka thënë Orav.
Edhe pse në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt dhe rezultatet u certifikuan në fund të marsit, Kuvendi ende nuk është konstituuar për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë pasi nuk bien dakord me propozimin e Kurtit për kryetaren e Kuvendit. Kryeministri I Kosovës thotë se nuk tërhiqet. Versus.al







