BOTA /

"Nuk u shërbejnë interesave tona", Trump nxjerr SHBA-të nga 66 organizata ndërkombëtare

Shkruar nga Versus

"Nuk u shërbejnë interesave tona", Trump nxjerr SHBA-të

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka tërhequr SHBA-në nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë shumë që punojnë për të luftuar ndryshimet klimatike.

Midis 66 grupeve, pothuajse gjysma e tyre janë organe të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike - një traktat që mbështet të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar ngrohjen globale.

Shtëpia e Bardhë tha se vendimi u mor sepse këto entitete "nuk i shërbejnë më interesave amerikane" dhe promovojnë "axhenda joefektive ose armiqësore".

Trump tashmë ka hequr fondet nga shumë organizata shumëpalëshe që nuk i pëlqen dhe më parë e ka hedhur poshtë konsensusin shkencor të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu si një "mashtrim".
Memorandumi u nënshkrua të mërkurën pas një shqyrtimi të shkaqeve që Shtëpia e Bardhë i quajti "një humbje parash të taksapaguesve".

"Këto tërheqje do t'i japin fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që avancojnë axhendat globaliste mbi prioritetet e SHBA-së"- thuhet deklaratë.

Shtoi se shumë nga organizatat promovuan "politika radikale klimatike, qeverisje globale dhe programe ideologjike që bien ndesh me sovranitetin dhe forcën ekonomike të SHBA-së".

Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC), një organ ekspertësh që vlerëson shkencën e klimës në mbarë botën, u përfshi gjithashtu në listë.

Organizatat e tjera të OKB-së të prekura përfshinin ato që punojnë për paqen dhe demokracinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe dhunën seksuale në konflikt.

Ndërsa Kushtetuta e SHBA-së u lejon presidentëve të bashkohen me traktate "me kusht që dy të tretat e senatorëve të pranishëm të jenë dakord", ajo nuk specifikon se çfarë ndodh nëse ata do të tërhiqen, që do të thotë se masa e Trump mund të përballet me sfida ligjore.

Vitin e kaluar, Trump tërhoqi përsëri SHBA-në nga marrëveshja e Parisit për klimën përpjekja më e rëndësishme në botë për të trajtuar temperaturat në rritje dhe refuzoi të dërgonte një delegacion në samitin e klimës COP30 në Brazil. Versus.al

Poll