
Konflikti mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka hyrë në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme, duke u zgjeruar përtej territoreve të dy vendeve dhe përfshirë disa shtete të Lindjes së Mesme.
Luftimet intensive, përdorimi i raketave dhe dronëve, si dhe sulmet ndaj infrastrukturës ushtarake dhe civile kanë rritur shqetësimet për një konflikt rajonal me pasoja globale.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian paralajmëroi se Teherani do të reagojë ndaj çdo përpjekjeje separatiste kurde, ndërsa grupet kurde në Irak raportuan sulme që plagosën anëtarë të tyre.
Në të njëjtën kohë, SHBA po shqyrton mundësinë e mbështetjes së forcave kurde për të nxitë një kryengritje kundër regjimit iranian.
Rajoni i Gjirit është gjithashtu prekur, me sulme raketore dhe dronësh në hapësirën ajrore të Kuvajtit dhe Bahreinit, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë neutralizuar dhjetëra dronë iranianë.
'Duke siguruar epërsi ajrore, ushtria izraelite po kalon në fazën tjetër të luftës kundër Iranit', tha shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjenerallejtënant Eyal Zamir, në një mesazh të regjistruar të enjten në mbrëmje.
"Tani po kalojmë në fazën tjetër të fushatës, në të cilën do të intensifikojmë sulmet kundër themeleve të regjimit dhe aftësive të tij ushtarake", tha Zamir, duke shpjeguar se brenda 24 orëve të para të Operacionit "Luani që Rënkon", forca ajrore izraelite "hapi rrugën për në Teheran".
"Kemi lëvizje të tjera surprizë që nuk kam ndërmend t'i zbuloj", shtoi shefi i ushtrisë izraelite.
NATO ka rritur nivelin e mbrojtjes raketore pas rrëzimit të një rakete iraniane drejt hapësirës ajrore të Turqisë.
Në planin diplomatik, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur interes për të influencuar zgjedhjen e udhëheqësit të ardhshëm të Iranit, ndërsa Izraeli ka paralajmëruar intensifikim të sulmeve kundër kapaciteteve ushtarake iraniane.
Konflikti ka ndikime edhe në ekonominë globale: çmimet e naftës janë rritur dhe trafiku i cisternave në Ngushticën e Hormuzit është ndërprerë përkohësisht. Analiza e Center for Strategic and International Studies tregon se vetëm 100 orët e para të operacionit amerikan kundër Iranit kanë kushtuar rreth 3.7 miliardë dollarë.
Vendet perëndimore po evakuojnë qytetarët e tyre nga rajoni dhe disa shtete evropiane kanë rritur praninë ushtarake për të mbrojtur interesat dhe aleatët e tyre. Analistët paralajmërojnë se konflikti mund të përshkallëzohet në një përballje më të gjerë rajonale me pasoja globale./Versus.al


