AKTUALITET /

Hetimet për AKSHI-n: Paratë e shqiptarëve i shkonin Ergys Agasit! 9 milionë euro në llogari pa bërë asnjë punë

Sipas hetimit dhe vendimit të sekuestrimit, mes viteve 2023 dhe 2025 Agasi dyshohet se ka përfituar mbi 9 milionë euro në formë ryshfeti për ndikimin e tij në paracaktimin e tenderëve të AKSHI-t.

Shkruar nga Versus

Hetimet për AKSHI-n: Paratë e shqiptarëve i shkonin Ergys Agasit!

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur, sipas fashikujve të dosjes së AKSHI-t, që Versus.al disponon  skemën e dyshuar të korrupsionit pasiv dhe pastrimi parash ku në qendër qëndron biznesmeni Ergys Agasi dhe kompania e tij EA Solution.

Sipas hetimit dhe vendimit të sekuestrimit, mes viteve 2023 dhe 2025 Agasi dyshohet se ka përfituar mbi 9 milionë euro në formë ryshfeti për ndikimin e tij në paracaktimin e tenderëve të AKSHI-t.

Sipas materialeve hetimore të publikuara, EA Solution ka faturuar rreth 2.9 miliardë lekë drejt disa operatorëve ekonomikë që kanë dalë fitues në procedura prokurimi, mes tyre Soft & Solution e Ermal Beqirit, Fastech e Andis Papës dhe First e Gëzim Hoxhës.

Hetimi thotë se këto pagesa nuk kanë qenë kosto për shërbime të kryera realisht, por shpërblime të kamufluara për fitimin e tenderëve publikë, të mbështetura në fiktivitetin e plotë të shërbimit të faturuar.

Organi i akuzës pretendon se EA Solution nuk ka pasur kapacitet teknologjik apo njerëzor për të kryer shërbimet për të cilat ka prerë faturat, ndërsa puna faktike është bërë nga Soft & Solution, duke e bërë marrëdhënien kontraktore të rreme dhe duke e kthyer faturën tatimore në instrument për “legalizimin” e vlerave korruptive.

Në këtë mënyrë, sipas SPAK, paratë e taksapaguesve janë rikthyer te persona dhe subjekte të lidhura ngushtë me titullaren e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, nëpërmjet një skeme të mirëorganizuar të bashkëpunimit kriminal./Versus.al

Poll