
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zbardhur një episod të dyshuar financiar që lidhet me një shumë prej 1 milion eurosh cash, të dorëzuara në Tiranë, në kuadër të hetimeve për një grup të strukturuar kriminal.
Sipas dosjes hetimore, më 4 nëntor 2020, Salvatore Aliu ka krijuar një grup komunikimi me Jetmir Pepajn dhe Isa Aliun, ku është organizuar takimi për dorëzimin e parave. Isa Aliu është nisur nga Elbasani drejt Tiranës, me qëllim realizimin e takimit me Pepajn.
Hetimet tregojnë se dorëzimi i shumës prej 1 milion eurosh është kryer në një garazh pranë hotel “Plaza” në Tiranë nga një person ende i paidentifikuar, i përmendur në komunikime si “nip i Pepajt”.
Fillimisht, Pepaj kishte sugjeruar që takimi të zhvillohej në ambientet e hotelit të tij “Oxford”, por sipas dosjes, Isa Aliu nuk ka mundur të shkojë atje për shkak të mungesës së parkimit për automjetin e tij tip “Porsche”, duke bërë që takimi të zhvendoset në një ambient tjetër më të përshtatshëm.
Në një tjetër episod të datës 8 nëntor 2020, Isa Aliu ka marrë një shumë prej 200 mijë eurosh nga i njëjti person. Sipas komunikimeve të zbardhura, Jetmir Pepaj është shprehur me ironi për shqetësimin mbi automjetin luksoz, duke thënë se “i blen Qerosi tjetër Porsche”, ndërsa paratë e dorëzuara përshkruhen si shuma të konsiderueshme që mund të blinin dhjetëra automjete luksoze.
SPAK vijon hetimet për identifikimin e plotë të personave të përfshirë dhe për origjinën e këtyre shumave të mëdha monetare, të dyshuara si pjesë e aktivitetit të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.Versus.al

