Zjarri shkatërrues në Akai nuk i kurseu as automjetet që ndodheshin në ambientet e Doganës së Patras të Autoritetit të Pavarur të Ardhurave Publike. Burime për mediat bëjnë me dije se 550 makina u dogjën plotësisht, një shifër kjo që ka të bëjë me shumicën dërrmuese të automjeteve të cilat ndodheshin të parkuara.
Nga këto, më shumë se gjysma e kishin përfunduar ciklin e tyre, domethënë nuk mund të shiteshin në ankad si automjete normale.
Guvernatori i AADE-s, Giorgos Pitsilis, ka dhënë urdhër se sapo temperaturat të bien atëhere ekipet e hetimit do të bëjnë një bilanc të plotë të dëmeve.
Prej ditësh edhe Greqia po përballet me një situatë alarmante si pasojë e zjarreve. Flakët po përhapen në zona të Greqisë Perëndimore për të dytën ditë radhazi. Situata më kritike paraqitet në Patra, Prevezë dhe Zakinthos.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se flakët po përhapen me shpejtësi edhe në Kios, ndërsa një zjarr ka shpërthyer edhe në Ilia dhe Pella.Problematike situata paraqitet dhe në Zakinthos. Flakët e fuqishme kanë shkrumbuar pyjet dhe tokat bujqësore. Dëme të konsiderueshme janë regjistruar në shtëpi, akomodime turistike dhe tokë bujqësore. Të paktën pesë shtëpi rurale kanë pësuar shkatërrime të rënda dhe shumë kafshë shtëpiake janë zhdukur nga flakët.
Ata që po përballen me zjarret janë padyshim zjarrfikësit të cilët prej ditësh tanimë janë rraskapitur nga “lufta” me flakët që po përhapen pa mëshirë. Një foto emocionuese ka ardhur nga ishulli Kios ku të disa zjarrfikës, të pafuqishëm, janë shtrirë në asfalt.
Lidhur me këtë foto e cila është duke bërë xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale ka reaguar edhe presidenti i Federatës Panhelenike të Sindikatave të zjarrfikësve, Nikos Lavrano, i cili tha se këto pamje tregojnë realitetin e trishtë të jetës së përditshme të një zjarrfikësi.
"Personalisht, nuk jam i impresionuar nga ky imazh. Për fat të keq, imazhi i zjarrfikësve të rraskapitur dhe t të shtrirë aty ku janë është realiteti i ashpër i jetës së përditshme të një zjarrfikësi kur një zjarr në pyll është në zhvillim e sipër. Ajo që po bëjnë kolegët në foto është se nuk flenë, ata po mbyllin sytë për disa çaste, gjysmë ore ose një orë, derisa të hidhen përsëri në betejën e shuarjes së zjarrit”, tha ai ndër të tjera.







