
Autoritetet portugeze kanë arrestuar nënën e dy djemve të vegjël, të moshës 4 dhe 5 vjeç, të cilët u gjetën të vetëm pranë një autostrade në jug të Portugalisë, rreth dhjetë ditë pasi ishin zhdukur nga shtëpia e tyre në lindje të Francës.
Policia portugeze njoftoi se 41-vjeçarja u arrestua në qytetin Fátima, së bashku me një burrë 55-vjeçar, të dyshuar për përfshirje në braktisjen dhe rrezikimin e të miturve. Sipas autoriteteve, ata përballen me akuza për abuzim, ekspozim ndaj rrezikut dhe braktisje të fëmijëve.
Dy fëmijët u gjetën të martën në mbrëmje pranë një rruge publike në komunën Alcácer do Sal, rreth 100 kilometra në jug të Lisbonë. Një shofer kalimtar i pa duke qarë në anë të rrugës dhe i mori me vete në furrën e bukës së familjes së tij, përpara se të njoftonte policinë.
Sipas mediave lokale, fëmijët ishin lënë në zonë me çanta shpine që përmbanin ujë, fruta, biskota dhe rroba, por pa asnjë dokument identifikimi.
Një anëtare e familjes që i ndihmoi fëmijët tha se ata flisnin vetëm frëngjisht dhe nuk mund të kuptoheshin fillimisht. Më pas, përmes një mjeku që dinte frëngjisht, ata treguan se ishin sjellë me makinë në një zonë pyjore dhe më pas ishin lënë vetëm.
Sipas dëshmisë së njërit prej djemve, atyre u ishin lidhur sytë dhe ishin dërguar të kërkonin një lodër të fshehur. Kur hoqi shiritin nga sytë, “makina e mamit nuk ishte më aty”.
Nga ana tjetër, autoritetet franceze konfirmuan se nëna e fëmijëve ishte shpallur në kërkim pasi ishte zhdukur pa shpjegime nga qyteti Colmar. Babai i fëmijëve, i divorcuar nga nëna e tyre, kishte bërë kallëzim për rrëmbim të të miturve.
Hetimet zbuluan se gruaja kishte udhëtuar nga jugu i Francës drejt Spanjës dhe më pas në Portugali. Ajo dhe partneri i saj u lokalizuan në një kafene në Fátima, duke udhëtuar me një automjet me targa franceze.
Fëmijët u transportuan në spitalin e Setúbal për kontrolle mjekësore dhe, sipas autoriteteve, ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.
Gruaja që u kujdes për fëmijët menjëherë pasi ata u gjetën, tregoi se të vegjlit kishin me vete ushqime dhe ujë, ndërsa nuk kishin shenja të dukshme dhune.
“Ata kishin nga një portokall, një dardhë dhe nga një shishe ujë secili. Nuk pamë asnjë shenjë abuzimi. Ndoshta nëna ua kishte lënë që të kishin diçka për të ngrënë të paktën për një ditë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, fëmijët ishin lënë në një zonë me bar dhe shkurre, ku njëri prej tyre ishte kafshuar tashmë nga një rriqër.
“Megjithatë, ata dukeshin të lumtur këtu në shtëpi”, shtoi gruaja që i strehoi përkohësisht derisa mbërritën autoritetet.
Dy fëmijët u gjetën pranë qytetit Alcácer do Sal, rreth 100 kilometra në jug të Lisbonë, pasi një shofer i pa duke qarë buzë rrugës dhe vendosi t’i ndihmonte.
Ndërkohë, mediat portugeze raportojnë se familja kishte edhe një djalë tjetër 16-vjeçar, i cili dyshohet se ishte personi që njoftoi babanë për zhdukjen e fëmijëve.

