BOTA /

Përplasje e rëndë trenash pranë Kopenhagë: 18 të plagosur, 5 në gjendje kritike

Dy trena përplasen “kokë më kokë” në veri të qytetit Hillerød, hetimet paraprake flasin për gabim njerëzor

Shkruar nga Versus

Përplasje e rëndë trenash pranë Kopenhagë: 18 të

Një aksident i rëndë hekurudhor ka ndodhur në veri të Kopenhagës, ku dy trena janë përplasur frontal në një zonë pyjore pranë Hillerød, duke shkaktuar një bilanc të rëndë të plagosurish.

Sipas autoriteteve, 18 persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa 5 prej tyre ndodhen në gjendje kritike dhe po trajtohen në spitalet e zonës. Të gjithë pasagjerët janë transportuar menjëherë për ndihmë mjekësore.

Përplasja ka ndodhur në drejtim të stacionit Kagerup, ndërsa në momentin e aksidentit në bord ndodheshin 37 pasagjerë. Dy trenat, njëri i verdhë dhe tjetri gri, kanë pësuar dëme të mëdha në pjesën ballore, me kabinat e drejtimit thuajse të shkatërruara, por fatmirësisht nuk kanë dalë nga shinat.

Operacionet e shpëtimit janë zhvilluar gjatë orëve të mëngjesit, me një mobilizim të madh të policisë dhe shërbimeve të emergjencës. Ndërkohë, autoritetet lokale kanë ngritur një qendër ndihme për pasagjerët e padëmtuar dhe familjarët e tyre, ku janë paraqitur mbi 20 persona, shumica të tronditur nga ngjarja.

Hetimet për shkaqet e aksidentit janë ende në zhvillim. Sipas ekspertit hekurudhor Christian Madsen, një nga skenarët më të mundshëm është gabimi njerëzor, qoftë nga mosrespektimi i sinjalit të kuq nga drejtuesi i trenit, ose një gabim në sinjalistikë në sistemin e vjetër të kontrollit.

Zona e aksidentit vijon të jetë e rrethuar, ndërsa ekspertët teknikë po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e përplasjes që ka tronditur transportin hekurudhor në Danimarkë.

 

Poll