BOTA /

Presidenti i Kolumbisë nuk i ndal akuzat, fajëson “mafian shqiptare me bazë në Dubai” për atentatin ndaj rivalit të tij

Në një deklaratë të postuar në platformën X, Presidenti Petro u shpreh se atentati ishte një hakmarrje e drejtpërdrejtë e rrjeteve kriminale, për shkak të luftës agresive që qeveria e tij i ka shpallur karteleve ndërkombëtare të drogës.

Shkruar nga Versus

 

Presidenti i Kolumbisë nuk i ndal akuzat, fajëson “mafian

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj grupeve shqiptare të trafikut të drogës, duke i lidhur ato me tentativën për vrasje ndaj politikanit të njohur kolumbian Miguel Uribe, një prej rivalëve më të zëshëm të Petro-s në skenën politike.

Në një deklaratë të postuar në platformën X, Presidenti Petro u shpreh se atentati ishte një hakmarrje e drejtpërdrejtë e rrjeteve kriminale, për shkak të luftës agresive që qeveria e tij i ka shpallur karteleve ndërkombëtare të drogës.


“Trafikantët shqiptarë që operojnë nga Dubai, Italia dhe Shqipëria deri në Ekuador janë të përfshirë në këtë atentat. Ata bashkëpunojnë ngushtësisht me Klanin e Gjirit dhe grupet guerile si ‘Iván Mordisco’. Ata kërkojnë destabilizimin e Kolumbisë,” – shkroi Petro.

Një rrjet ndërkombëtar që shtrihet në tri kontinente

Sipas deklaratave të presidentit, rrjeti për të cilin flitet është pjesë e një strukture globale që përfshin trafik droge, pastrim parash dhe bashkëpunim me organizata të armatosura në rajon. Petro përmendi lidhje të forta me një prej grupeve më të dhunshme dhe të organizuara në Kolumbi – Klanin e Gjirit, dhe një prej komandantëve më famëkeq të lëvizjeve guerile, Iván Mordisco.

Kjo deklaratë shënon një prej herëve të para që një lider i nivelit të lartë në Amerikën Latine përmend publikisht përfshirjen e grupeve shqiptare në tentativat për destabilizimin politik dhe institucional të një shteti të huaj.

Ngjarja dhe të dyshuarit

Sulmi ndaj Uribe-s ndodhi në një zonë të banuar të Bogotás. Një adoleshent i dyshuar është ndaluar nga autoritetet dhe pritet të dalë në gjykatë të martën. Ai përballet me akuza për tentativë vrasjeje dhe posedim të paligjshëm të armës së zjarrit, një pistoletë Glock, e cila ishte blerë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020.

Si i mitur, ai do të gjykohet në sistemin penal për të mitur dhe rrezikon një dënim maksimal prej tetë vitesh, nëse shpallet fajtor.

Ngjarja vjen në një moment delikat për Kolumbinë: prodhimi i kokainës ka arritur nivele rekord, grupet kriminale kontrollojnë gjithnjë e më shumë territor, dhe situata fiskale e vendit është më e keqja që nga pandemia. Analistët paralajmërojnë se atentati ndaj Uribe-s mund të jetë vetëm fillimi i një vale të re destabilizimi në prag të përfundimit të mandatit të presidentit Petro.

Përmendja e trafikantëve shqiptarë në këtë kontekst është një sinjal alarmi mbi shtrirjen dhe ndikimin në rritje të këtyre grupeve jashtë Evropës, veçanërisht në Amerikën Latine, ku po shfaqen si aktorë të fuqishëm në tregun e kokainës. /Versus.al

Poll