BOTA /

Rusia dhe Ukraina shkelin armëpushimin! Bombardime dhe viktima nga të dyja palët

Kievi dhe Moska akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes tre-ditore të ndërmjetësuar nga SHBA. Raportohen viktima nga të dyja palët, ndërsa Kremlini përjashton zgjatjen e armëpushimit.

Shkruar nga Versus

Rusia dhe Ukraina shkelin armëpushimin! Bombardime dhe viktima nga të

Ukraina dhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit tre-ditor të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës deklaroi se, vetëm që nga fillimi i ditës, janë regjistruar 51 sulme nga forcat ruse.

Ndërkohë, Forcat Ajrore ukrainase raportuan se Rusia kishte lëshuar 44 dronë që prej të premtes në orën 18:00, një shifër që konsiderohet më e ulëta e muajve të fundit.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes akuzoi Ukrainën se ka vijuar sulmet me dronë dhe artileri kundër pozicioneve të ushtrisë ruse, pavarësisht hyrjes në fuqi të armëpushimit. Moska nuk dha një bilanc të saktë të incidenteve.

Përplasjet kanë shkaktuar viktima në të dyja anët. Sipas autoriteteve lokale ukrainase, sulmet me dronë rusë vranë dy civilë dhe plagosën tre të tjerë në rajonet e Zaporizhias dhe Dnipropetrovskut.

Ndërkohë, në rajonin rus të Belgorodit, pranë kufirit me Ukrainën, tre persona mbetën të plagosur pas një sulmi me dron ukrainas, sipas guvernatorit rajonal Vyacheslav Gladkov.

Armëpushimi tre-ditor u shpall nga presidenti amerikan Donald Trump pas dy përpjekjeve të dështuara për ndërprerjen e luftimeve, fillimisht nga Ukraina dhe më pas nga Rusia.

Përveç ndalimit të përkohshëm të sulmeve, palët ranë dakord edhe për një shkëmbim të madh të burgosurish. Sipas Trump, marrëveshja parashikon lirimin e 1 mijë të burgosurve nga secila palë.

“Le të shpresojmë se ky do të jetë fillimi i fundit të një lufte shumë të gjatë”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

Megjithatë, perspektiva për një zgjatje të armëpushimit mbetet e paqartë. Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, deklaroi se deri më tani nuk është arritur asnjë marrëveshje për vazhdimin e tij përtej afatit tre-ditor.

 

 

 

Poll