Në Oklahoma është kryer ekzekutimi i tretë për këtë vit. Emmanuel Littlejohn, 52 vjeç, u çua drejt vdekjes me injeksion vdekjeprurës pasi u dënua për rolin e tij në vrasjen e një pronari minimarketi gjatë një grabitjeje në vitin 1992.
Littlejohn u dënua për vrasjen me armë zjarri të 31-vjeçarit Kenny Meers gjatë një grabitjeje të dyqanit të Meers në Oklahoma City.
Bordi i faljes dhe lirimit me kusht në Oklahoma kishte votuar 3-2 për të rekomanduar mëshirë për Littlejohn muajin e kaluar. Vendimi përfundimtar i takonte guvernatorit Kevin Stitt, i cili nuk e mori rekomandimin e Bordit.
“Këto vendime janë shumë të vështira dhe unë nuk i marr lehtë”, tha Stitt në një deklaratë. “Një juri e shpalli atë fajtor dhe e dënoi me vdekje. Si guvernator i rendit dhe ligjit, e kam të vështirë ta rrëzoj në mënyrë të njëanshme atë vendim.”
Me dënimin e fundit me vdekje, numri i personave të ekzekutuar nën administratën e tij arriti në 14. Ndërkohë, një shtet tjetër, Alabama, është gati të dërgojë drejt ekzekutimit një tjetër të burgosur, Alan Eugene Miller.







