BOTA /

“Tragjedi për demokracinë”, liderët botërorë dënojnë atentatin me armë ndaj Trump! Rusia fajëson SHBA-të për ngjarjen

Liderët botërorë kanë dënuar ashpër sulmin me armë zjarri ku mbeti i plagosur Donald Trump.

Shkruar nga Versus
“Tragjedi për demokracinë”, liderët
Trump i plagosur pas të shtënave me armë

Atentati ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump ka ngjallur reagime të shumta në të gjithë botën. Liderët e shteteve të ndryshme kanë reaguar duke shprehur indinjatën ndaj sulmit të tmerrshëm që shkaktoi vdekjen e një pjesëmarrësi në tubimin e Trump në Pensilvani si dhe plagosjen e këtij të fundit dhe të dy të tjerëve.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti tentativën për vrasjen e Trump një "tragjedi për demokracitë".

“Franca ndan tronditjen dhe indinjatën e popullit amerikan”, shkroi Macron në X.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkroi në rrjetin social “X” se ishte ndjerë i tmerruar kur mori vesh lajmin për të shtënat dhe shprehur ngushëllimet e tij për vrasjen e një prej pjesëmarrësve në tubimin e Trump.

"Dhunë e tillë nuk ka asnjë justifikim dhe nuk ka vend askund në botë," tha Zelensky. "Uroj që Amerika të dalë më e fortë nga kjo."

Kancelari gjerman Olaf Scholz e quajti tentativën për vrasjen e ish-presidentit amerikan Donald Trump "të neveritshme" dhe tha se dhuna politike përbën një kërcënim për demokracinë.

"Sulmi ndaj kandidatit për president të SHBA-së, Donald Trump është i neveritshëm. I uroj atij një shërim të shpejtë. Mendimet e mia janë gjithashtu me njerëzit që u prekën nga sulmi. Akte të tilla dhune kërcënojnë demokracinë," tha Scholz në X.

I tronditur u shpreh edhe sekretari i përgjithshëm në detyrë i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili tha se dhuna politike nuk ka vend në demokracitë e vendeve të zhvilluara.

“Jam i tronditur nga tentativa për vrasjen e ish-presidentit Trump. I uroj shërim të shpejtë dhe mendimet e mia janë me të prekurit. Unë e dënoj këtë sulm. Dhuna politike nuk ka vend në demokracitë tona. Aleatët e NATO-s qëndrojnë së bashku për të mbrojtur lirinë dhe vlerat tona”- shkroi Stoltenberg në rrjetin social X.

Nga ana tjetër, Rusia ka reaguar gjithashtu për ngjarjen e ndodhur duke fajësuar SHBA-të për promovimin e politikave që nxisin urrejtje.  Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, u shpreh se SHBA-të duhet “të bëjnë vlerësim” të politikave të “nxitjes së urrejtjes” pas të shtënave në mitingun e Trump.

Ajo pretendoi se fondet e SHBA-së për Ukrainën po përdoreshin për të nxitur sulme kundër presidentit rus dhe sugjeroi që SHBA të investonte më shumë në sigurinë e brendshme.

“Ndoshta do të ishte më mirë të përdoreshin këto para për të financuar policinë amerikane dhe shërbime të tjera që supozohet të sigurojnë ligjin dhe rendin në Shtetet e Bashkuara”- shtoi ajo.

Më herët për ngjarjen reaguan disa prej figurave kryesore në SHBA, si Barack Obama dhe zv.presidentja Kamela Harris të cilët dënuan sulmin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Të njëjtin reagim të ashpër pati edhe presidenti amerikan Joe Biden. Versus.al

Poll