Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro hodhi poshtë kërcënimet e homologut të tij amerikan, Donald Trump, i cili e akuzoi atë si trafikant droge. Ai shkroi në rrjetet sociale se emri i tij nuk shfaqet në asnjë lloj procesi gjyqësor.
"Ndaloni së shpifuri mua, z. Trump. Nuk kërcënohet kështu një president i Amerikës Latine që doli nga lufta e armatosur dhe më pas nga lufta e popullit të Kolumbisë për Paqe"- shkruan Petro në rrjetin social X.
Më herët presidenti i Kolumbisë kritikoi ashpër operacionin ushtarak të SHBA-ve, gjatë së cilit u arrestua homologu i tij venezuelian, Nicolas Maduro i cili akuzohet për narko terrorizëm.
Në një postim të mëvonshëm Petro shtoi "miqtë nuk bombardojnë". Ministria e Jashtme e Kolumbisë i quajti kërcënimet e Presidentit të SHBA-së "ndërhyrje të papranueshme" dhe kërkoi "respekt".
Kolumbia dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë kryesorë ushtarakë dhe ekonomikë në rajon, por marrëdhëniet e tyre kanë qenë të tendosura.
Që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump, të dy udhëheqësit janë përplasur rregullisht për çështje të tilla si tarifat dhe politika e migracionit. Versus.al

