Shtëpia e Bardhë ka reaguar me tone të forta pas vrasjes së dy punonjësve të Ambasadës Izraelite në Uashington, duke theksuar se akti do të ndiqet penalisht deri në masën më të plotë të ligjit.
Sekretarja e shtypit, Karoline Leavitt, në një konferencë për shtyp deklaroi se Presidenti Donald Trump është “thellësisht i tronditur dhe i indinjuar” nga ngjarja e rëndë.
“Urrejtja nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Presidentit Trump,” tha Leavitt, duke dënuar ashpër atë që e cilësoi si një akt antisemit dhe mizor. Ajo shtoi se “e keqja e antisemitizmit duhet të zhduket nga shoqëria jonë”.
Dy viktimat, diplomatët Yaron Lischinsky dhe Sarah Milgrim, u përshkruan nga Leavitt si një “çift i ri i bukur”, të njohur për përkushtimin e tyre profesional dhe dashurinë ndaj njëri-tjetrit.
“Departamenti i Drejtësisë do të sigurohet që autori të përballet me drejtësinë në mënyrë të plotë,” theksoi zëdhënësja, duke nënvizuar vendosmërinë e administratës për të luftuar çdo formë të urrejtjes.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm komunitetin diplomatik, por edhe mbarë opinionin publik në SHBA dhe Izrael, teksa autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e sulmit. /Versus.al







