Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur mbrëmjen e djeshme në njësinë nr.2 të Tiranës tha se ekonomia e Shqipërisë po funksionon dhe për këtë arsye sipas tij, pensionet po rriten. Kreu i qeverisë premtoi se çdo vit do të ketë rritje të vazhdueshme të pensioneve.
Ndërsa sa i takon ekonomisë, tha se nuk varet vetëm nga puna e qeverisë, por edhe çfarë ndodh në botë, duke marrë kështu si shembull pandeminë e covid dhe konfliktet e ndryshme ushtarake.
‘’Çdo vit rritja do dyfishohet. Nëse këtë vit pensioni në muaj është rritur x, vitin tjetër nga janari do jetë x2, pastaj vitin tjetër do jetë x3. sepse na janë krijuar mundësitë. Dhe kjo do thotë se funksionon ekonomia. E mësuam tani besoj të gjithë që ekonomia nuk është thjesht e lidhur me çfarë bëjmë ne këtu, por edhe me çfarë ndodh larg nesh. E mësuam këtë gjë me pandeminë që na erdhi këtu nga larg dhe u impaktuam si gjithë të tjerët, e mësuam me luftën në Ukrainë që është larg, por goditi çmimet e energjisë dhe po e shikojmë me naftën që po ndikohet nga lufta në Iran’’- u shpreh Rama. Versus.al


