
Në seancën e sotme plenare të Kuvendit po mbahen diskutime për raportin e qeverisë dhe të komisionit të Jashtëm të PE lidhur me procesin e integrimit. Pavarësisht debateve, palët janë dakordësuar për një projekt rezolutë të përbashkët që pritet të miratohet pas diskutimeve.
Ndërkohë, opozita kritikoi qeverinë duke pretenduar se negociatat janë bllokuar. Ky pretendim u kundërshtua nga ministri i Jashtëm Ferit Hoxha i cili tha se çdo gjë po ecën sipas parashikimit dhe se është plotësisht e mundur që vendi ynë të jetë antar i BE brenda 2030-ës.
‘’Zyrtarët më të lartë të BE-së kanë theksuar se, nëse ruhet ritmi aktual, ky objektiv i anëtarësimit brenda vitit 2030 është absolutisht i arritshëm. Procesi kryesor është ai i shqyrtimit të raportit të KE-së për piketat e ndërmjetme. Ndryshe nga sa dëgjohet, ky proces nuk është bllokuar e as ndaluar nga shtetet anëtare. Si çdo vend kandidat, Shqipëria nuk është pjesë formale e diskutimeve të brendshme në KE; do të jetë në atë tryezë vetëm kur të jetë anëtare’’- deklaroi Hoxha.
Kryedemokrati Sali Berisha i quajti trillime të gjitha pretendimet e qeverisë të paraqitura nga raportin e integrimit. Në këto kushte ai kërkoi që raporti të tërhiqet menjëherë.
“Keni paraqitur raportin mbi integrimin në BE, i cili nga alfa te omega, është mashtrim dhe vetëm mashtrim. Ky është një akt i rëndë në një moment shumë të rëndësishëm për shqiptarët, ju paraqisni një raport që nuk guxoni ta lexoni dhe vendosni që raporti të mos lexohet që qytetarët të mos njihen me mashtrimet tuaja. Kërkoj të tërhiqet menjëherë raporti. Është fund e krye mashtrime dhe burokraci. Përsa i përket performancës, janë trillime’’- u shpreh Berisha.
Nga ana tjetër, në nisje të seancës u rrëzua kërkesa e bërë nga deputetët e Partisë Demokratike me kryeministrin Edi Rama për projektin ‘’smart city’’. Versus.al


