Një operacion i gjerë policor në Itali ka çuar në arrestimin e 25 individëve të dyshuar për përfshirje në trafikimin e armëve dhe drogave. Midis të arrestuarve është edhe një murgeshë, e cila është akuzuar për krijimin e lidhjeve me anëtarët e grupit kriminal që ndodheshin në burg. Po ashtu, në mesin e të arrestuarve ndodhet një ish-këshilltar i partisë FDI në qytetin e Breshias.
Grupi i dyshuar i organizatës mafioze, i lidhur me Ndrangheta, ishte në bashkëpunim me bandën Tripodi, e cila operonte në rajonin e Brescias. Murgesha, e quajtur motra Anna Donelli, kishte rol të rëndësishëm në “sigurimin e lidhjeve” mes anëtarëve të organizatës që ndodheshin pas grilave.
Disa prej të arrestuarve janë vendosur nën arrest shtëpie, ndërsa të tjerëve u janë shqiptuar masa të tjera sigurie pas përfundimit të hetimeve nga Policia dhe Policia Financiare. Mes të përfshirëve janë gjithashtu Giovanni Acri, ish-këshilltar në qytetin e Breshias, i përfshirë në një hetim me eurodeputetin Carlo Fidanza, si dhe Mauro Galeazzi, një ish-përfaqësues i Lidhjes në Castel Mella.
Sipas informacionit nga autoritetet, Acri, i cili dha dorëheqjen në favor të një anëtari tjetër të partisë, dyshohet se ka qenë i lidhur me grupin e udhëhequr nga anëtarët e bandës Tripodi. Akuzat ndaj Galeazzi janë po ashtu të rënda; ai akuzohet për përpjekje për të kërkuar vota në këmbim të kontratave publike gjatë fushatës për kryetar bashkie në Castel Mella në vitin 2021.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan më shumë se 1.8 milion euro dhe realizuan kërkime në disa provinca të Italisë, përfshirë Reggio Calabria, Milano, Como, Lecco, Varese, Verona, Viterbo dhe Treviso. Organizata ishte e angazhuar në aktivitete të shumta kriminale, përfshirë në zhvatje, trafikimin e armëve dhe drogës, pranimin e mallrave të vjedhura, fajde, krime fiskale dhe pastrimin e parave./Versus.al








