Një ngjarje e frikshme është regjistruar gjatë një fluturimi të kompanisë ajrore gjermane “Condor”, nga Korfuzi drejt Dyseldorfit, kur një nga motorët e avionit mori flakë në ajër.
Pamje të filmuara nga një dëshmitar okular tregojnë qartë shpërthimet dhe shkëndijat që dilnin nga motori i djathtë, ndërsa dëgjohet edhe zhurma e fortë e tyre. Më pas, nga motori filloi të dilte tym i dendur, duke shkaktuar panik te udhëtarët dhe banorët në zonë.
Avioni tip Boeing 757, me rreth 250 pasagjerë në bord, ishte ngritur nga aeroporti i Korfuzit pasditen e së shtunës. Kur ndodhej rreth 1,500 këmbë lartësi, motori i djathtë pësoi defekt dhe u përfshi nga flakët. Pilotët reaguan menjëherë duke e çaktivizuar motorin dhe duke kryer një manovër të djathtë mbi ishull, ndërkohë që aeroporti i Korfuzit u vu në gatishmëri për një ulje emergjente.
Megjithatë, ekuipazhi vendosi të mos ulej në Korfuz, por të devijonte drejt Italisë. Avioni u ngrit në një lartësi më të sigurt, prej 6,000 deri në 8,000 këmbë, dhe më pas u drejtua drejt aeroportit të Brindizit, ku u ul i sigurt.
Banorë të Korfuzit kanë rrëfyer se shihnin qartë motorin e avionit të përfshirë nga zjarri, ndërsa në qytet dhe mbi port u dëgjua një shpërthim i fuqishëm që tërhoqi vëmendjen e qytetarëve dhe turistëve.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e incidentit mbeten ende të paqarta./Versus.al







