EKONOMI & MJEDIS /

AirBnB dhe strukturat shqiptare në Booking ‘në lupë’ nga tatimet këtë sezon veror: Konkurrencë e ndershme

Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet do të kryejnë krahasime mes çmimeve të publikuara online dhe të dhënave të raportuara në sistemin e fiskalizimit për të identifikuar evazionin fiskal. Ndërkohë, gjatë muajve qershor-shtator, do të zhvillohen edhe kontrolle në terren për subjektet e klasifikuara me risk të lartë.

Shkruar nga Versus

AirBnB dhe strukturat shqiptare në Booking ‘në lupë’

Të gjithë individët dhe subjektet që japin apartamente me qira përmes platformave online si Booking.com dhe AirBnB, do të jenë këtë verë nën vëzhgim të rreptë nga administrata tatimore shqiptare. Ky është një nga shtyllat e Planit të Turizmit 2025, tashmë në zbatim, i cili synon formalizimin e tregut të qirave afatshkurtra, një sektor që po njeh rritje të shpejtë.

Verifikime të çmimeve dhe fiskalizimit

Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet do të kryejnë krahasime mes çmimeve të publikuara online dhe të dhënave të raportuara në sistemin e fiskalizimit për të identifikuar evazionin fiskal. Ndërkohë, gjatë muajve qershor-shtator, do të zhvillohen edhe kontrolle në terren për subjektet e klasifikuara me risk të lartë.

Bashkëpunim ndërkombëtar kundër fshehjes së të ardhurave

Administrata tatimore shqiptare ka nisur bashkëpunim me homologët e saj në Irlandë për të hetuar individë që realizojnë të ardhura nga platforma ndërkombëtare por nuk i deklarojnë në Shqipëri. Qytetarët janë ftuar të bëjnë deklarimin vjetor përmes sistemit DIVA, i detyrueshëm për të gjitha të ardhurat jashtë pagës mujore.

Rritje e vrullshme e tregut të qirave ditore

Aktualisht në platforma të ndryshme janë identifikuar mbi 18,200 njësi aktive për qira afatshkurtër në të gjithë vendin. Ky model ka krijuar dy profile të pronarëve:
- Ata që e kanë kthyer në biznes të qëndrueshëm, duke marrë struktura me qira afatgjatë dhe i japin përditë me çmime më të larta.
- Qytetarë që shfrytëzojnë apartamente personale të pabanuara për të gjeneruar të ardhura shtesë në sezonin turistik.

Formalizim për konkurrencë të ndershme

Administrata tatimore thekson se objektivi i këtyre masave është sigurimi i konkurrencës së ndershme, mbrojtja e konsumatorëve dhe rritja e të ardhurave në buxhetin e shtetit. Të gjithë individët që realizojnë të ardhura të konsiderueshme janë të detyruar të:
- Regjistrohen si tatimpagues në organet tatimore.
- Deklarojnë xhiron mujore ose vjetore sipas kritereve të përcaktuara.
- Lëshojnë fatura të fiskalizuara për çdo transaksion me klientët. 

Në rast të mospërputhjeve, subjektet përballen me gjoba administrative, bllokim të aktivitetit, apo ndjekje penale, në varësi të shkeljes. /Versus.al/

Poll