Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë dërguar 251 milionë euro në tre muajt e parë të vitit 2025 drejt familjeve të tyre në Shqipëri, një rritje prej 9 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë.
Kjo prurje e shtuar e valutës konfirmon varësinë gjithnjë e më të madhe të familjeve shqiptare – veçanërisht atyre me të ardhura të ulëta apo pensionistë – nga remitancat si një burim i rëndësishëm mbijetese. Megjithatë, pavarësisht rritjes në vlerë nominale, fuqia reale blerëse e remitancave ka rënë, për shkak të zhvlerësimit të euros, e cila aktualisht këmbehet për rreth 85 lekë, një nga nivelet më të ulëta historike.
Investimet e huaja, në trend rritës
Përveç remitancave, ekonomia shqiptare ka përfituar edhe nga një rritje e investimeve të huaja direkte (IHD). Në tremujorin e parë të vitit 2025, këto investime arritën në 362 milionë euro, krahasuar me 354 milionë euro në tremujorin e parë të 2024.
Sipas Bankës së Shqipërisë, këto fonde vijnë kryesisht nga:
Kapitali i ri i investuar
Fitimet e riinvestuara nga kompanitë ekzistuese
Sektori i pasurive të paluajtshme, më i preferuari
Sektori që vijon të tërheqë më shumë kapital të huaj është ai i pasurive të paluajtshme, veçanërisht për blerjen e pronave në zona turistike dhe bregdetare. Kjo tendencë po ndikon ndjeshëm edhe në rritjen e çmimeve të banesave në disa qytete të mëdha. /Versus.al/







