Projektligji për ngritjen dhe funksionimin e Byrosë së Kredisë është në fazën finale të diskutimeve mes palëve të interesuara dhe pritet të hidhet për konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë gjatë këtij viti.
Drafti është përgatitur me nismën e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe parashikon që Byroja e Kredisë të ngrihet nga një subjekt privat, me eksperiencë në një aktivitet të tillë jashtë vendit.
Që prej vitit 2008, Shqipëria ka një regjistër kredie që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Por, informacioni që përmban ky regjistër është i kufizuar te kreditë e marra nga individët dhe bizneset prej institucioneve të licencuara financiare.
Byroja e Kredisë do të mbledhë informacion për detyrimet që subjektet kanë ndaj institucioneve financiare, ndaj autoriteteve fiskale dhe atyre shtetërore në përgjithësi, si edhe ndaj operatorëve të shërbimeve utilitare.
Bazuar mbi këto informacione, Byroja do të përgatitë një raport të pikëzimit të kreditit (credit scoring) të individëve dhe subjekteve. Raporti i credit scoring do t’u ofrohet huamarrësve, për të lehtësuar vlerësimin e tyre kreditor nga bankat, institucionet e tjera financiare apo palë të tjera me të cilat subjekti mund të hyjë në marrëdhënie kontraktore.
Burimi i sigurimit të të ardhurave për subjektin që do ta ngrejë dhe administrojë Byronë do të jetë kryesisht tarifa e pagesës për raportin e credit scoring, që do të paguhet nga çdo individ apo subjekt që e kërkon atë.
Në frymën e tij, projektligji parashikon që dhënia e informacionit për Byronë do të bëhet mbi baza vullnetare. Individëve dhe subjekteve do t’u kërkohet një miratim paraprak për ndarjen e dhënave të tyre me Byronë e Kredisë.
Megjithatë, duke qenë se raporti i credit scoring do të jetë kërkesë e institucioneve financiare në momentin e aplikimit për kredi, kjo në parim do të jetë një shtysë për të lejuar aksesin në të dhënat që mundësojnë përgatitjen e këtij raporti.
Nga ana tjetër, edhe bashkëpunimi mes Byrosë dhe enteve që do ta furnizojnë me këtë informacion gjithashtu do të funksionojë mbi baza vullnetare. Edhe për këtë arsye, aftësia dhe eksperienca e operatorit që do të marrë përsipër ngritjen e kësaj Byroje do të jetë e rëndësishme për të ndërtuar dhe përditësuar me sukses bazën e të dhënave.
Projektligji parashikon që Byroja e Kredisë të mbikëqyret nga Komisioner për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me qëllim garantimin e përdorimit të të dhënave personale sipas kërkesave ligjore.
Shoqata e Bankave fillimisht kishte propozuar edhe një rol të Bankës së Shqipërisë në licencimin dhe mbikëqyrjen e Byrosë së Kreditit. Megjithatë, Banka Qendrore është shprehur kundër një zgjidhjeje të tillë dhe nuk parashikohet që projektligji t’i japë një rol në mbikëqyrjen e Byrosë.
Ngritja e një Byroje të Kredisë ka qenë një ide e hershme e Shoqatës së Bankave, por për vite me radhë nuk pati hapa konkretë për zbatimin e saj.
Diskutimet rreth mënyrës dhe formave për të ngritur një Byro të Kredisë nisën qysh me planin e masave për kreditë me probleme, në vitin 2015.
Vitin e kaluar, Shoqata e Bankave mori përsipër hartimin e një projektligji, duke financuar konsulencën e nevojshme për këtë qëllim. / Monitor.al