Paratë që emigrantët sjellin tek familjet e tyre në Shqipëria po shfaqin një tendencë ngadalësimi në muajt e parë të këtij viti, duke reflektuar indirekt se valës së re të emigracionit po i vjen kulmi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë në bilancin e pagesave bënë të ditur se të ardhurat nga emigrantët ishin 251 milionë euro në janar-mars 2025, me një rritje prej 3.7% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. ky është niveli më i ulët i rritjes, që nga viti 2020. Në tremujorin e parë 2024, paratë që emigrantët sjellin në shtëpi ishin rritur me 13% dhe një vit më parë me 16%.
Që nga viti 2013, paratë që emigrantët sjellin në Shqipëri janë rritur vazhdimisht (shiko grafikun), duke reflektuar një cikël të ri emigracioni, që nisi kryesisht pas vitit 2015.
Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se ritmet e emigracionit të shtetasve shqiptare në vendet e Bashkimit Europian janë përshpejtuar vitet e fundit dhe kjo reflektohet në numrin e lartë të lejeve të qëndrimit të dhëna nga shtetet e BE-së. Në vitin 2023 u dhanë rreth 75 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së. Një vit më parë ishin dhënë 79.2 mijë leje qëndrimi për herë të pare.
Këto janë nivelet më të larta që nga 2010-a, duke treguar për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë. Në 2022-2023 u dhanë gjithsej 154 mijë leje qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente. Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 920 mijë shtetas shqiptarë.
I gjithë ky fluks i ri të ikurish është reflektuar në një cikël të ri emigracioni. Vlerësohet se në 10-15 vjet lidhjet me vendim amë fillojnë e zbehen, teksa emigrantët krijojnë një jetë të re, në shtetin ku kanë emigruar. Kjo ndodhi me valën e parë të emigracionit të pas viteve ’90, që çoi në një rënie të prurjeve pas vitit 2008.
Aktorët e tregut pohojnë se kanalet kryesore vijojnë të mbeten vendet tradicionale ku ka emigracione, si Greqia e Italia, por vitet e fundit ka pasur rritje dhe nga destinacionet e reja si Anglia dhe Gjermania. Monitor.al







