Sporti amerikan i gjuetisë së ofertave dhe uljeve të shumta, që sjell konsum të spikatur në ditën e njohur si “E premtja e zezë” ka nisur të ushtrohet edhe në Shqipëri prej disa vitesh tashmë.
Ky trend, i cili fillimisht ishte një veprimtari ekskluzive në tregun amerikan, ka hapur rrënjë edhe në vendet e tjera, përfshirë Shqipërinë, duke krijuar një valë të re konsumizmi dhe një mundësi të artë për bizneset që të rrisin shitjet e tyre, përpara periudhës së festave të fundvitit.
Shumica e bizneseve shqiptare, sidomos ato në fushën e shitjeve me pakicë, kanë përqafuar tashmë dy terma të njohur dhe mjaft të përdorur në mbarë botën: “E Premtja e Zezë” dhe “E Hëna e Internetit”.
Ky fenomen ka gjetur një terren në Shqipëri, ku gjithnjë e më shumë dyqane online dhe fizike po i ofrojnë klientëve mundësi për të përfituar nga ulje të mëdha çmimesh gjatë periudhës së sezonit të festave, një kohë kur interesimi për blerje arrin kulmin.
Sipas vëzhgimeve të Monitor në këtë periudhë, një nga strategjitë më të përdorura nga shitësit është ofrimi i zbritjeve nga 30-80% dhe ofertave tërheqëse që nuk mund të refuzohen nga konsumatorët.
Blerësit e mundshëm, të cilët ndonjëherë mund të kenë pritur deri në këtë periudhë të vitit për të bërë disa blerje, ndihen të stimuluar nga uljet që mund të ofrohen gjatë kësaj periudhe.
Në Shqipëri, sipas vëzhgimeve, tendencat e blerjeve për Black Friday treguan një rritje të interesit në disa kategori produktesh, duke përfshirë pajisjet elektronike si televizorët smart dhe laptopët, pajisjet shtëpiake, dhe veshjet dimërore.
Një numër i madh shqiptarësh zgjodhën të përfitojnë nga ofertat për artikuj si kondicionerë dhe tharëse rrobash, sipas komunikimeve me disa nga dyqanet e shitjeve në këtë fushë si Neptun, Globe dhe Gotech.
Ndërkohë që kërkesa për veshje dhe këpucë të stinës dimërore ishte gjithashtu e lartë, sipas komunikimeve me SportOutlet. Gjithashtu, ofertat në shërbime si fotografi profesionale dhe artikuj dekorativë për festa kontribuan në shitjet e kësaj periudhe, sipas të dhënave të marra në terren.
Megjithatë, një vëzhgim i përgjithshëm sugjeron se uljet shpesh perceptohen si fiktive në disa dyqane lokale, me çmime të fryra para aplikimit të zbritjeve.
Nga ana tjetër, dyqanet që përfaqësojnë marka ndërkombëtare ofrojnë ulje më reale dhe tërheqëse. Në disa raste, konsumatorët shqiptarë shpesh preferojnë të presin për oferta edhe më të favorshme afër festave të fundvitit.
Kryesisht në faqet e internetit e rrjetet sociale, por edhe në xhamat e dyqaneve apo hapësirat për promocion, në disa nga rrugët tregtare si rrugën e Kavajës apo atë “Myslym Shyri”, gjen që nga syzet, telefonat, veshjet apo ushqimet me ulje nga 20 deri në 80 për qind. Monitor.al