Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi tre ditë më parë licensimin e Jet Bank, që synon të jetë banka e parë që do të operojë totalisht në mënyrë digjitale në vendin tonë. Ky operator plotësisht digjital u themelua në Shqipëri në shtator të vitit 2025 me një kapital prej 3.5 milionë lekësh të reja. Themeluesi dhe zotëruesi i saj është shtetasi izraelito-britanik Idan Avishai i cili zotëron 100% të aksioneve.
Ndërkohë, administratore e bankës do të jetë Fatbardha Rino, një personazh i njohur në sektorin financiar në Shqipëri. Rino ka mbajtur disa pozicione drejtuese në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe gjithashtu ka qenë më parë drejtoresha ekzekutive e “Iute Pay”. Ndërsa anëtarët e tjerë të bordit janë gjithashtu me origjinë izraelite, konkretisht shtetasit: Oliver Hemer dhe Rami Solomon.
Pas miratimit paraprak të licensës nga Banka e Shqipërisë, ‘Jet Bank’ do të duhet që të nisë përgatitjet për operimin në treg. Banka digjitale ka 12 muaj kohë për të plotësuar kërkesat ligjore dhe rregullatore duke nisur nga kapitali e deri tek infrastruktura teknike përpara se të marrë licensën përfundimtare.
Në aktivitetin e Jet Bank mes të tjerash përshkruhet:
“Shoqëria mund të kryejë gjithashtu çdo biznes ose aktivitet tjetër që konsiderohet nga Asambleja e Përgjithshme si i përshtatshëm ose i favorshëm për t'u kryer ose për t'u bërë në lidhje me ndonjë nga objektivat e mësipërme ose të llogaritura drejtpërdrejt ose tërthorazi për të rritur vlerën ose për ta bërë më fitimprurës çdo biznes, pronë ose të drejtë të Shoqërisë”.
Jet Bank bëhet banka e dytë tregtare që merr miratimin paraprak së fundmi për të hyrë në tregun shqiptar, pas bankës turke Zirat.
Kujtojmë se që prej 2015-ës, tregu shqiptar ka hyrë në një cikël përqendrimi që solli uljen e numrit të bankave tregtare bankare nga 16 në 11 të tilla. Me përjashtim të Bankës së Kreditit të Shqipërisë, që doli nga tregu nëpërmjet likuidimit, zvogëlimi i numrit të bankave ka ardhur nëpërmjet blerjes dhe përthithjes nga bankat konkurrente në treg. Etapa e fundit në këtë proces u zhvillua në vitin 2022, kur Alpha Bank Albania u ble dhe u përthith nga Banka OTP Albania.
Pas një dekade nga nisja e ciklit të përqendrimit që zvogëloi numrin e bankave tregtare, sektori bankar shqiptar duket se po nis një zgjerim të ri të numrit të subjekteve në treg. Rritja e shpejtë e sektorit në vitet e fundit dhe përmirësimi i treguesve të përfitueshmërisë duket se e ka bërë atë tërheqës edhe për hyrjen e aktorëve të rinj. Me dhënien e miratimit paraprak për Jet Bank dhe Zirat, vitin e ardhshëm pritet që numri i bankave tregtare në vend të rritet në 13 të tilla.
Mbetet për t’u parë sesi do të funksionojë banka e parë digjitale në Shqipëri me pronar të huaj i cili nuk rezulton të jetë ndonjë emër i njohur në fushën e sektorit bankar në vende të tjera të Evropës. Versus.al

