
Kursi i këmbimit Euro-Lek vazhdon të shfaqë tendenca rënëse. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane e ka nisur këtë javë me një tjetër rënie të lehtë dhe ka prekur një minimum të ri historik në vlerën e 96.49 lekëve.
Agjentët shprehen se tregu i këmbimit valutor në këtë periudhë karakterizohet nga flukse të shtuara të monedhës europiane, duke reflektuar në, vija të përgjithshme, edhe një efekt sezonal.
Sidoqoftë, rënia e kursit me bazë vjetore paraqitet relativisht e vogël. Krahasuar me një vit më parë, kursi i këmbimit Euro-Lek është në rënie me 1.8%
Stabiliteti relativ i kursit vazhdon të mbështetet te ndërhyrjet e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë. Banka Qendrore po kryen operacione periodike të blerjes së valutës, me qëllim për të mos lejuar forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase. Këto ndërhyrje justifikohen me objektivin ligjor të inflacionit.
Të dhënat e fundit treguan se inflacioni vjetor në muajin nëntor zbriti në 2.1% dhe besohet se efektin kryesor po e jep komponenti i tij i importuar. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë po tenton të frenojë një mbiçmim të mëtejshëm të Lekut në kursin e këmbimit.
Sipas deklaratave të Guvernatorit Sejko, deri në fund të 9-mujorit 2025, blerjet kanë arritur në rreth 800 milionë euro. Në rast se edhe në tremujorin e fundit blerjet kanë vijuar të paktën në ritmet e mesatares së tre tremujorëve të mëparshëm, gjasat janë që valuta e tërhequr nga tregu këtë vit nga Banka e Shqipërisë të kalojë kufirin e 1 miliard eurove.
Mbështetur në statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e tretë 2025 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 658 milionë eurove. Suficiti i llogarisë korrente shënoi një rritje të fortë me 90% (rreth 312 milionë euro) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Suficiti i tremujorit të tretë solli edhe daljen e përkohshme të ekonomisë shqiptare nga pozicioni i jashtëm negativ.
Për të gjithë 9-mujorin e parë, bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 51 milionë eurove, ndërkohë që një vit më parë kishte shënuar një deficit në vlerën e 233 milionë eurove. Duke shtuar edhe flukset e investimeve të huaja direkte (të vlerësuara në më shumë se 1.2 miliardë euro) bilanci i hyrje-daljeve të valutës në ekonomi duket ketë qenë pozitiv dhe do të shpjegonte tendencat e mëtejshme rënëse të kursit Euro-Lek.
Megjithatë, statistikat e bilancit të pagesave nuk mbështeten plotësisht në matje direkte, por në disa prej zërave janë edhe vlerësime të kryera, mbështetur në metoda të tërthorta statistikore.
Për këtë arsye, këto statistika duhen interpretuar me disa rezerva.
Në perceptimin e agjentëve të tregut flukset informale të valutës ngelen gjithashtu një faktor që e ndikon vazhdimisht kursin e këmbimit, por masa e ndikimit të këtij faktori është e vështirë të vlerësohet./Monitor
Reforma e re territoriale, alternativa e qeverisjes me Rajone

