EKONOMI & MJEDIS /

Indeksi i sundimit të ligjit, Shqipëria më e korruptuara në Europë

Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në mbarë botën. Rajonalisht, Shqipëria renditet e 10-ta nga 15 vende në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Shkruar nga Versus

Indeksi i sundimit të ligjit, Shqipëria më e korruptuara në

Për të shtatën vit radhazi shteti i së drejtës ka rënë në nivel global, sipas Indeksit të Sundimit të Ligjit 2024, publikuar nga World Justice Project.

Këtë vit, sundimi i ligjit u dobësua përsëri në shumicën e vendeve të anketuara (57%).

Megjithatë, të dhënat e Indeksit sugjerojnë gjithashtu se recesioni global i sundimit të ligjit po ngadalësohet dhe se progresi është i mundur.

Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në mbarë botën. Rajonalisht, Shqipëria renditet e 10-ta nga 15 vende në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Vendi ynë performon më dobët në treguesin e “Mungesës së Korrupsionit” , duke u renditur në vendin e 107, që tregon për një nivel të lartë korrupsioni.

Mungesa e korrupsionit llogaritet nga këto faktorë:

2.1 Zyrtarët e qeverisë në pushtetin ekzekutiv nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.2 Zyrtarët e qeverisë në degën e drejtësisë nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.3 Zyrtarët qeveritarë në polici dhe ushtri nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.4 Zyrtarët e qeverisë në degën legjislative nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

Të anketuarit shqiptarë nuk bien dakord që në vend ka mungesë korrupsioni, përkundrazi, Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë. Ky është treguesi që ka marrë më pak pikë (37). Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë, duke lënë pas vetëm Ukrainën. Pas Shqipërisë, perceptimi më i lartë për korrupsionin është më Serbi (vendi i 93), Bosnjë Hercegovina (80), Maqedonia e Veriut (71), Kosova (65). Në rajon, perceptimin më të ulët për korrupsionin e kanë malazezët (62).

Shqipëria hyn në zonën e kuqe të korrupsionit, ku zbatimi i rregullave të lojës është i dobët.

Shqipëria dhe tendencat botërore  

Që nga viti 2016, një recesion global i shtetit ligjor ka prekur 77% të vendeve të studiuara, përfshirë Shqipërinë.  Indeksi ndërtohet në bazë të 8 faktorëve: Kufizimet në kompetencat e qeverisë; Mungesa e Korrupsionit; Qeveri e hapur; Të drejtat themelore; Rendi dhe Siguria; Zbatimi Rregullator; Drejtësia Civile; Drejtësia Penale.

Në nivel global, rëniet u nxitën kryesisht nga tendencat autoritare. Ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, faktori i indeksit që mat Të drejtat Themelore ra në 81% të vendeve, përfshirë Shqipërinë.

Gjatë shtatë viteve të fundit, pikët e Indeksit për Kufizimet mbi Kompetencat e Qeverisë kanë rënë në 77% të vendeve, përfshirë Shqipërinë. Në mbarë botën, legjislaturat, gjyqësori dhe shoqëria civile, duke përfshirë mediat kanë humbur të gjitha terren në kontrollin e pushtetit ekzekutiv, tregon Indeksi.

Nga ana tjetër është bërë një farë progresi globalisht në luftën kundër korrupsionit ndërmjet viteve 2023 dhe 2024. Këtë vit, 59% e vendeve panë rezultatet e tyre të indeksit për mungesën e korrupsionit të përmirësuara, përfshirë Shqipërinë.

“Pas viteve të rënies së sundimit të ligjit, mund të jetë e lehtë të përqendrohesh te ana negative. Por të bësh një gjë të tillë do të thotë të injorosh arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe punën e vështirë që po ndodh për të përmirësuar sistemet e drejtësisë globalisht,” tha bashkëthemeluesi dhe presidenti i WJP, William H. Neukom.

Krahasuar më Ballkanin Shqipëria lë pas vetëm Serbinë (94), ndërsa vendet e tjera kanë rezultate më të larta. Konkretisht Maqedonia e Veriut në vendin e 67, Kosova në vendin e 58 dhe Mali i Zi në vendin e 56.

Tendencat shqetësuese autoritare vazhdojnë

Vitin e kaluar, kishte disa shpresa se tendencat autoritare globale kishin filluar të ngadalësoheshin. Pavarësisht kësaj, indeksi i këtij viti gjen rënie më të gjera dhe më të thella në dy faktorë kritikë të Indeksit: Të drejtat themelore dhe kufizimet mbi kompetencat e qeverisë.

Implikimet afatgjata janë shqetësuese. Midis 2016 dhe 2024, njerëzit në 81% të vendeve kanë humbur mbrojtjen për të drejtat e tyre themelore. Për më tepër, 77% e vendet tregojnë një dobësim të kontrolleve dhe balancave qeveritare, duke përfshirë mbikëqyrje nga legjislaturat, gjykatat, shoqëria civile dhe media. Mbi 6 miliardë njerëz tani jetojnë në vende ku sundimi i ligjit është më i dobët se sa ishte 2016.

“Në çdo cep të botës, ne vazhdojmë të shohim lider që konsolidojnë autoritetin e tyre”, shtoi Neukom.

Indeksi i Sundimit të Ligjit të WJP bazohet në anketat e ekspertëve dhe familjeve për të matur sundimin e ligjit në 142 vende dhe juridiksione, duke mbuluar 95% të popullsisë së botës.

Vendi me rezultate më të larta më i renditur në Indeksin e Sundimit të Ligjit të këtij viti është Danimarka, e ndjekur nga Norvegjia (2), Finlanda (3), Suedia (4) dhe Gjermania (5). Pesë vendet e para të renditura mbeten të pandryshuara nga viti 2023. Vendet me rezultate më të dobëta në sundimin e ligjit janë Venezuela (142), Kamboxhia (141), Afganistani (140), Haiti (139) dhe Mianmari (138). Monitor.al

 

Poll