Sektori i industrisë hyri zyrtarisht në recesion në vitin 2024 duke shënuar rënie gjatë të katër tremujorëve radhazi. Tendenca u përkeqësua dhe në pjesën e parë të 2025-s.
Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se industria në total (“Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”) pësoi rënie me 4.55% në vitin 2024, hera e parë me ecuri negative që nga periudha e pandemisë, kur tkurrja ishte 7.32%.
Industria përpunuese u reduktua me 3.65%, me ecuri më negative sesa gjatë periudhës së pandemisë (-3.58%).
Sektori nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz ku ka hyrë, e shkaktuar nga rritja e kostove të operimit të aktivitetit dhe të personelit, apo dhe koniunkturës së pafavorshme ndërkombëtare.
Shtimi i kostove është i vështirë që të transferohet në çmime për shkak të uljes së konkurrueshmërisë.
Rënia e Euros është një tjetër faktor që ka ndikuar negativisht eksportuesit për të disatin vit radhazi, ndërsa prodhuesit, që marrin lëndën e parë nga importi, i ka lehtësuar disi.
Mungesa e fuqisë punëtore është një tjetër arsye që po ndikon negativisht te prodhimi.
Kriza e sektorit ka bërë që kontributi i industrisë në ekonomi të vijë në rënie të vazhdueshme. Në 2024-n, pesha e industrisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) zbriti në 7.6%, nga 8.47% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të INSTAT.
Ky është niveli më i ulët në 15 vjet, që nga 2009-a, kur ky sektor zinte 6.72% të PBB-së. Më pas, ai nisi një rritje të vazhdueshme, e ndikuar fillimisht nga industria nxjerrëse dhe më pak nga përshpejtimi i aktivitetit të sipërmarrjeve të përpunimit.
Aktiviteti i industrisë po zgjerohet me ritme shumë më të ulëta se ai i sipërmarrjeve të tjera, si ndërtimi dhe energjia, duke bërë që shumë prej tyre të dalin nga lista e “Monitor 200”, sipas të ardhurave.
“Kurum” është kompania më e madhe në Shqipëri në sektorin e industrisë, me të ardhura 25.1 miliardë lekë (me rënie 33.2%) e ndikuar nga tkurrja e çmimeve dhe koniunktura e pafavorshme ndërkombëtare.
“Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh i naftës bruto, shënoi rënie të të ardhurave me 1%, në 21.7 miliardë lekë, sipas burimeve nga kompania.
Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, shënoi rënie me 20% të të ardhurave, në 6.5 miliardë lekë. Kjo performancë vjen pas përgjysmimit të të ardhurave vitin e mëparshëm, e ndikuar nga koniunktura e pafavorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare, si rrjedhojë e kërkesës së dobët. Kompania administron minierën e kromit në Bulqizë, uzinat e prodhimit të ferrokromit në Elbasan dhe Burrel.
Sipas raportit të aktivitetit, “viti 2024 ishte një vit me paqëndrueshmëri të tregut, pas një periudhe mjaft të destabilizuar të çmimeve të energjisë elektrike, si dhe nga kriza e luftës në Ukrainë që kaloi industria, ku për shkak të kërkesës së ulët, çmimet e FeCr u ulën me rreth 35%, duke u krahasuar me vitin 2023.
Gjatë vitit 2024 nuk u operua me kapacitet prodhues të plotë për shkak të vendimeve të bordit duke vlerësuar ndikimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe kërkesën e shitjeve të produktit final.
Për pasojë është prodhuar një sasi prej 13,199 tonë në Elbasan dhe 11,191 tonë në Burrel përkatësisht. Ndërkohë prodhimi i kromit arriti shifrën 89,837 tonë gjatë 2024”.
Numri i punonjësve në fund të vitit 2024 ishte në shifrën e 958 punonjës ose 29 punonjës më pak krahasuar me vitin 2023 (987 punonjës).
Numri më i madh i punonjësve është në Minierën e Bulqizës, me 593 të punësuar në 2024-n.
Shoqëria thekson se për sa i përket aktivitetit investues, ai ka vazhduar sipas objektivave të shoqërisë duke u përqendruar te përmirësimi i kushteve të punonjësve, përmirësimi teknologjik për reduktimin e ndotjes së mjedisit, si dhe të rritjes së produktivitetit.
Vlera totale e investimit pritet të kapë shifrën e 41.4 milionë dollarëve deri në fund të vitit 2025.
Nëpërmjet këtij investimi pritet të zgjatet më tej jeta e minierës dhe të shfrytëzohen rreth 1.9 milionë tonë rezerva minerare.
Kompania ka ndryshuar vazhdimisht menaxhimin. Në vitin 2001, një koncesion i rëndësishëm i përbërë nga asetet si: miniera, uzinat dhe impianti i pasurimit, pjesë e industrisë së kromit në Shqipëri, iu dhanë kompanisë franceze DARFO srl, nëpërmjet një Marrëveshje Koncesionare.
Kompania DARFO sh.p.k., punoi dhe shfrytëzoi këto asete koncesionare deri në vitin 2007 kur një grup austro – rus i mori në shfrytëzim dhe formoi një kompani tjetër të quajtur ACR (Albanian Chrome).
Në vitin 2009, struktura e pronësisë së ACR ndryshoi ku grupi austriak mori në zotërim 100% të aksioneve të koncesionit, duke u bërë kështu e vetmja aksionere e ACR. Në 2013, për shkak të vështirësive financiare, grupi austriak ia shiti të gjitha aksionet e ACR, grupit BALFIN (Balkan Finance Investment Group).
Në janar të vitit 2022, “Albchrome” u ble nga “Yılmaden Holding”, një degë e “YILDIRIM Group of Companies”, e cila është një nga liderët globalë në prodhimin e ferrokromit me karbon të lartë, si dhe mineralit të kromit me cilësi të lartë.
“‘Albchrome’ zë një peshë të vogël në prodhimin global të ferrokromit dhe mineralit. Edhe pse ‘Albchrome’ është një prodhues cilësor, ai ka një treg të kufizuar dhe konkurrencë shumë të fortë nga Kazakistani dhe Rusia (të gjitha bashkë me një prodhim total vjetor ferrokromi prej rreth 2 milionë tonësh).
Kapaciteti prodhues vjetor i ferrokromit të ‘Albchrome’ përllogaritet rreth 72.000 tonë kundrejt një prodhimi global rreth 13.7 milionë tonë FeCr në vit”.
Prodhuesi i pijeve freskuese “Coca Cola” rriti të ardhurat me 1.8%, në 5.9 miliardë lekë. Sipas të dhënave të detajuara, produkti “Coca Cola” sjell pjesën më të madhe të të ardhurave me 54%, e ndjekur nga “Fanta” me 35%, “Sprite” 2% e “Schweppes” me 3.4%, dhe rreth 5% janë produkte të tjera. Rreth 88% e të ardhurave gjenerohet nga tregu vendas.
Sipas raportit të aktivitetit, gjatë vitit 2024 u instaluan 2 linja të reja mbushjeje për produktet në kanaçe dhe RGB. Presidenti i “Coca Cola Bottling Shqipëria”, Luca Busi, thotë se viti 2024 shënoi shtim të volumit të prodhimit duke reflektuar ndikimin e rritjes së turizmit, përmirësimit të shpërndarjes dhe zgjerimit të ofertës së produkteve.
Shtimi i prodhimit vendas, sipas z. Busi, ka ndikuar në frenimin e importeve të pijeve freskuese nga Polonia, Nigeria, Republika Çeke, Italia, etj. Z. Busi nënvizon gjithashtu se një nga sfidat kryesore me të cilat po përballet sektori i pijeve freskuese vijon të jetë rekrutimi dhe kualifikimi i punonjësve.
Grupi “EHW”, me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, supermarkete etj., raportoi 7.9 miliardë lekë të ardhura, me rritje prej 5.8%.
Prej disa vitesh, “EHW” raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama” dhe supermarketet (ajo zotëron 55% të aksioneve të shoqërisë “Conad Albania”). Sipas raportit vjetor, “Shoqëria ‘EHW’ ka investuar gjatë vitit 2024 në rinovimin e teknologjisë për të rritur konkurrueshmërinë në treg.
Një investim të rëndësishëm ka bërë dhe shoqëria ‘Qafshtama’, pjesë e grupit, e cila vuri plotësisht në eficiencë fabrikën e dytë në zonën malore të Qafshtamës.
Gjatë vitit që u mbyll, shoqëria ka pasur në qendër të vëmendjes politikat për mbrojtjen e mjedisit. Për këtë qëllim janë instaluar në dy stabilimente impiante fotovoltaike për prodhimin e energjisë elektrike”.
“Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 3.63 miliardë lekë, me rënie të lehtë prej 0.8%. Aktiviteti kryesor i shoqërisë ka qenë prodhimi dhe tregtimi i mallrave ushqimore, kryesisht në rrjetet e supermarketeve, por edhe shitje me shumicë për bizneset në të gjithë territorin e vendit.
Sipas raportit të aktivitetit, “tipar dallues i kësaj periudhe është qëndrueshmëria në treguesin e të ardhurave nga aktiviteti i shfrytëzimit, e cila ka ardhur nga shumë faktorë, ku më kryesoret janë përmirësimet në strukturën e grupit të mallrave ushqimore, përmirësimi i cilësisë së mallrave nga furnizimet brenda dhe jashtë vendit, rritja e cilësisë së produkteve të prodhuara nga vetë njësia, përmirësimi i shërbimit etj.”.
Kompania shton se për zhvillimet e ardhshme, shoqëria ka planifikuar të ecë nëpërmjet investimeve të reja drejt rritjes dhe përmirësimit të kapaciteteve, përmirësimit të menaxhimit në të gjithë sektorët, zgjerimin në tregun e brendshëm. Ne do të vazhdojmë të përqendrohemi te segmentet tona historike të tregut, që janë individët, bizneset e mesme dhe të vogla.
“Lajthiza Invest”, me aktivitet në prodhim, ambalazhim, tregtim i ujit natyral po rritet me shpejtësi. Kompania raportoi të ardhura prej 4.4 miliardë lekësh, me zgjerim 22%, pas rritjes me 30% vitin e mëparshëm.
Sipas raportit të aktivitetit, kryesisht shitjet më të mëdha kanë qenë nga formati 0.5 litra dhe 5 litra. Përveç mbulimit lokal në Shqipëri, shoqëria ka realizuar shitje në rajon (Maqedoni e Veriut dhe Kosovë) dhe një pjesë janë eksportuar dhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Thanas Siveri, administratori i “Lajthiza Invest”, pohon se kompania e tij tashmë ka një prani të gjerë në tregje ndërkombëtare.
“Për sa u përket eksporteve, ne tashmë jemi të pranishëm me produktet tona dhe eksportojmë në disa shtete si p.sh.: Zvicër, SHBA, Britani e Madhe, Tajvan, Francë, Maltë, si dhe në vendet e rajonit si Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi etj. Për zgjerimin e mëtejshëm, aktualisht jemi drejt finalizimit të kontratave me dy vende të tjera”.
Ai shton se ashtu sikurse edhe në vitet e mëparshme, edhe gjatë 2025-s, prodhimi ka ardhur në rritje, mbështetur nga investimet e reja për shtim të gamës së produkteve, siç është ujë me vitamina me ambalazhime PET (ambalazhim ekologjik i riciklueshëm).
“GSA Ferrokrom” është një hyrje e re në listë, pasi kompania GSA, që kishte aktivitet në tregtim, energji dhe ferrokrom, e ndau këtë të fundit më vete. Shoqëria deklaroi të ardhura prej 4.3 miliardë lekësh, në vitin e parë të aktivitetit.
Shoqëria tjetër “GSA” deklaroi vetëm 1.2 miliardë lekë nga shitja e ferrokromit në 2024-n, nga 9.8 miliardë lekë vitin e mëparshëm. “GSA Ferrokrom” prodhon dhe tregton ferrokrom me karbon të lartë.
“Beralb”, shoqëria që operon me një marrëveshje koncesioni 42-vjeçare me qeverinë shqiptare për shfrytëzimin e minierave të bakrit është ngjitur sërish në listën e më të mëdhave.
Të ardhurat e kompanisë u rritën me 76% në vitin 2024 duke arritur në 3.5 miliardë lekë, e ndikuar nga koniunktura e favorshme e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe shtimit të licencave të shfrytëzimit.
Shoqëria shfrytëzon me koncesion minierën e bakrit Munellë, minierën e bakrit Lakrosh dhe dy uzinat e pasurimit, një në Fushë-Arrëz dhe tjetra në Shkodër.
Gjatë vitit 2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë dha një licencë për aktivitetet e shfrytëzimit dhe vlerësimit për katër miniera të tjera: Qafë Bari, Karma, Tuç dhe Palucë.
Gjatë vitit 2024, çmimet e bakrit treguan rritje të qëndrueshme në vlera mbi 9800 USD/tonë metal bakër, duke qenë mbi kufirin prej 8,500 USD për tonë metal bakër, mbi të cilin shoqëria vlerëson se është në gjendje të gjenerojnë fitime.
“Maccaferri Balkans” raportoi rreth 3 miliardë lekë të ardhura, sipas të dhënave paraprake nga tatimet. Shoqëria operon në tregun shqiptar prej afro 15 vitesh dhe në atë botëror, me një përvojë mbi 140 vjet.
Objekt kryesor ka aktivitetin e prodhimit dhe tregtimit të produkteve me përdredhje të dyfishtë (si gabione, materase dhe rrjeta), rrjetave në formë unazore dhe tregtimin e produkteve gjeosintetike të përdorura për të zgjidhur problemet në lidhje me kontrollin e erozionit, mbrojtjen e terrenit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
“CWI-Albania” (ÇOKYASAR WIRE INDUSTRY ALBANIA) është një nga sipërmarrjet më të reja në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke. E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha.
Në vitin 2024, kompania shënoi rritje të shpejtë, duke zgjeruar të ardhurat me 21.6% në 2.9 miliardë lekë, e ndikuar nga aktiviteti pozitiv i prodhimit të telit të galvanizuar me veshje të ulët.
Sipas burimeve të kompanisë, investimi është rreth 6 milionë euro dhe aktiviteti nisi në janar 2021, pas disa vonesave për shkak të pandemisë.
Kompania “Tete Albania Tunel & Mining”, me kapital turk, e cila ka investuar prej vitesh në një fabrikë pasurimi të bakrit në zonën e Spaçit, ka hyrë sërish në listën e “Monitor 200” pas rritjes së të ardhurave me rreth 50% në 2.7 miliardë lekë, sipas të dhënave paraprake nga tatimet.
Shoqëria ka përfituar një leje shfrytëzimi në 20 gusht 2007 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, me jetëgjatësi 20 vjet për nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të bakrit nga miniera ekzistuese e ndodhur në Spaç, Mirditë.
Gjatë 2018, Shoqëria ka përfunduar ndërtimin e fabrikës dhe tuneleve të minierës dhe ka filluar nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Aktiviteti i shitjes ka filluar në muajin qershor 2018. Nëpërmjet kompanive të saj, ‘Acacia Mining’, ‘Ilan Marble’ dhe ‘Tete Albania’, ‘Ilbak Holding’ vazhdon të rritet në sektorin minerar”.
Miniera e bakrit e Spaçit është një nga minierat më produktive në zonë, me një tunel aktiv prej 12 km dhe rreth 3 milionë tonë rezerva të rikuperueshme për nxjerrje. “Tete Albania” planifikon të nxjerrë 3,6 milionë tonë minerale me Projektin e Spaçit.
Shoqëria gjithashtu, përveç investimit të bërë në Minierën e Spaçit dhe Fabrikën e Pasurimit, ka filluar investime në dy miniera të tjera si Gurth 2 dhe Gurth 3.
Minerali i zinkut, i cili do të prodhohet nga këto dy miniera, do të pasurohet në Fabrikën e Pasurimit Spaç. Për herë të parë në Republikën e Shqipërisë, shoqëria “Tete Albania” ka filluar prodhimin e koncentratit të zinkut.
Industria e përpunimit të peshkut, nën potencial për shkak të kuotave dhe rënies së Euros
Industria e përpunimit të peshkut, e cila punon kryesisht me modelin e materialit të porositësit, ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit. Por, sektori mbetet nën potencial për shkak të kufizimit të kuotave të eksportit.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar. Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitit 2015, kuotat e eksportit përmbushen që në muajt gusht apo tetor.
Pas plotësimit të kuotave, produktet taksohen me 25% të vlerës. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore.
Momentalisht, ata kanë operuar, duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet. Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend.
Aktualisht, industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.
Humbjet nga rënia e Euros gjithashtu përbëjnë shqetësim edhe për eksportuesit e industrisë përpunuese të peshkut.
Sipas INSTAT, në vitin 2024, eksportet e grupit “Peshku dhe kafshët guaskore të nënujshme”, ranë me 9.2% në sasi dhe 10.8% në vlerë, duke shënuar tendencën më negative që nga viti 2013, kur kishte filluar zgjerimi i vrullshëm i sektorit.
Ndryshe nga viti 2023, kur eksportet në sasi ishin në rritje, por në vlerë u ndikuan nga Euro, në 2024-n kishte më pak shitje edhe në sasi.
Kjo ecuri reflektohet dhe në rënien e aktivitetit të operatorëve kryesorë që veprojnë në këtë segment.
“CORAL” mbetet sipërmarrja më e madhe përpunuese e peshkut në vend. Të ardhurat në vitin 2024 ishin 2.8 miliardë lekë, me rënie 8.8% me bazë vjetore. Ky është viti i dytë radhazi me tkurrje, pas reduktimit me 8.3% në vitin 2023.
Sipas raportit të aktivitetit, problematikat me të cilat u përball shoqëria gjatë 2024-s kanë qenë të shumta. Ndër më kryesoret përmenden mungesa e theksuar e punonjësve, që ka sjellë vonesa në dorëzimin e porosive, si dhe rritja e përgjithshme e kostove.
“‘Coral’ sh.p.k. operon në sektorin e përpunimit të produkteve të detit që nga viti 1994. Prej shumë vitesh, kompania operon dhe në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Itali, Greqi, Mal të Zi, Kosovë dhe Spanjë, marrëdhëniet me të cilën janë intensifikuar së tepërmi vitet e fundit, duke tregtuar produktet e saj në këto tregje me kompani shumë prestigjioze që janë lider të sektorit në këto vende.
Produktet e freskëta me origjinë shqiptare, si dhe importet nga Greqia dhe Italia të peshkut të freskët, kryesisht tregtohen brenda vendit dhe eksportohen. Por ka dhe importe të peshkut të ngrirë, por në pjesën më të madhe përpunohen dhe eksportohen përsëri në tregun e huaj”.
Sipas raportit, gjatë 2024, subjekti “Coral” vazhdoi me investime në pasuri të patundshme si dhe me strategjinë e zgjerimit të gamës së produkteve, përshtatja në sasi më të vogla (për konsum familjar), si një mënyrë për të balancuar rritjen.
“Rozafa”, me aktivitet në zënie, grumbullim, përpunim dhe tregtim me shumicë e pakicë të prodhimeve të detit, brenda dhe jashtë vendit, raportoi të ardhura në gati 1.7 miliardë lekë, me tkurrje 1%.
Eksportuesit e veshjeve të këmbëve në vitin e tretë të rënies
Për të tretin vit radhazi, industria e veshjeve të këmbëve, që ka dhe sipërmarrjet më të mëdha në segmentin që punon me material porositësi, po pengohet nga dy sfida. Së pari, rënia e ndjeshme e Euros ka ulur të ardhurat në Lek të eksportuesve.
Së dyti, ata po përballen me probleme të mëdha në gjetjen e fuqisë punëtore, duke bërë që të mos e përballojnë dot kërkesën nga porositësit. Këtyre u shtohen edhe rritja e kostove, e ndikuar në pjesën më të madhe nga rritja e pagës minimale, që në prill 2023 u bë 40 mijë lekë.
Edhe më herët, kompanitë po i rrisnin pagat, si një masë për të frenuar ikjen e punonjësve. Rritja e kostove ka bërë që furnitorët, kryesisht nga Italia, të zhvendosen drejt shteteve të tjera në Marok, apo në Lindjen e Mesme.
Sektori i prodhimit të këpucëve është ndër më të lehtët për të delokalizuar. Në momentin që prodhimi bëhet më i shtrenjtë, porositësit nxitojnë drejt vendeve të tjera me kosto më të lira.
Industria nuk është ndihmuar as nga kërkesa globale që ka ardhur në rënie, e ndikuar nga ndryshimi i sjelljes së konsumatorëve dhe ngadalësimi i ekonomisë globale.
Në vitin 2024, eksportet e veshjeve të këmbëve ranë me 8.2% në sasi dhe 19.4% në vlerë, të ndikuara nga vijimi i nënçmimit të Euros, shtimi i kostove nga pagat e larta, ndryshimi i kërkesës globale për këpucë për shkak të motit të ngrohtë dhe zhvendosjes së prodhimit të sipërmarrjeve europiane drejt vendeve me kosto më të lira të punës, si India e shtete të tjera të Azisë.
Skënder Pashaj, i cili drejton kompaninë “Fital”, një nga prodhuesit më të mëdhenj në treg, pohon se përpos situatës së vështirë, nuk ka shpresa për rikuperim. Ndër shumë faktorë që kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës është rënia e kërkesës nga jashtë, tha ai.
“Ka një frenim të shitjeve, sidomos të këpucëve pas luftës në Ukrainë. Rritja e çmimeve të mallrave të shportës i ka shkurtuar blerjet për këpucë.
Tendenca pritet të jetë e tillë, e kombinuar edhe nga ndryshimi i stilit të jetës dhe ndikimet klimatike që po ndikojnë në ndryshimin sezoneve”, – shpjegoi ai.
Z. Pashaj tha se në tregun e brendshëm, kostot e larta të punës nga rritja e pagave dhe humbjet nga kursi i këmbimit janë faktorë shtesë që kanë vështirësuar situatën në sektor.
Sipërmarrjet e prodhimit të këpucëve, që kanë një cikël pothuajse të mbyllur, kanë dhe faturim më të lartë, kanë qenë gjithmonë pjesë e “Monitor 200”. Por, në 2024-n, për herë të parë, nuk ka asnjë shoqëri nga ky segment, teksa asnjë nuk ka raportuar të ardhura mbi 2 miliardë lekë.
“Albaco Shoes” mbetet fabrika më e madhe e prodhimit të këpucëve.
Të ardhurat e shoqërisë ranë me rreth 27% në 2024-n, duke zbritur në 1.6 miliardë lekë, duke bërë që shoqëria të dalë nga lista e “Monitor 200”, teksa në vitin 2023 ishte e vetmja që kishte mbetur nga ky segment.
Sipas raportit të aktivitetit, shoqëria “Albaco Shoes”, gjatë vitit 2024 ka pasur një ecuri jo normale të aktivitetit të saj.
Kompania rendit dhe arsyet e rënies. Faturimet kanë pësuar ulje me rreth 26.35% në krahasim me vitin 2023, kjo për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, rënies së kërkesës dhe kursit të këmbimit.
Kostot e prodhimit kanë shënuar rritje me rreth 16.4% në krahasim me vitin 2023, numri i të punësuarve është ulur rreth 6% në krahasim me vitin 2023.
Çmimet e faturimit në Euro janë rritur, por rënia e kursit të këmbimit ka sjellë ndikim të madh negativ. Në vitin 2023, kompania kishte 1554 punonjës, ndërsa pas reduktimit të tyre me rreth 6%, shoqëria kishte rreth 1460 të punësuar në 2024.
“Fital”, një nga operatorët më të mëdhenj të prodhimit të këpucëve në vend, ka shënuar rënie të ndjeshme të të ardhurave me 40%, në 826 milionë lekë, pas tkurrjes me 34% vitin e mëparshëm duke qenë shumë poshtë vitit më të mirë në 2019-n, kur qarkullimi vjetor arriti në rreth 2.4 miliardë lekë.
Kompania ka shkurtuar vazhdimisht punonjës, nga 911 në vitin 2022, numri i tyre ka zbritur në 647 në vitin 2024. Paga mesatare mujore për të punësuar është rritur vazhdimisht, nga 42.2 mijë lekë në vitin 2022, në 49.6 mijë lekë në vitin 2024.
“Efekte negative në treguesit e vitit 2024 ka dhënë kursi i këmbimit të Euros, i cili në fillim të vitit 2024 ka qenë 103.88 lekë/euro, ndërsa në fund të vitit 2024 ka qenë 98.15 lekë/euro, si dhe rënia e eksporteve në krahasim me vitin 2023”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Efa Solution”, e specializuar në prodhimin e këpucëve dhe nënkontraktimin, në vitin 2024 realizoi 1.9 miliardë lekë të ardhura, me rritje prej 2%, kryesisht nga aktiviteti i nënkontraktimit. Sipërmarrja tjetër e të njëjtit grup, “Pro Dyn Albania”, ku është përqendruar prodhimi i këpucëve, kishte të ardhura prej 643 milionë lekësh, me rritje 21%.
Numri i punonjësve të “ProDyn Albania” ishte 597 në vitin 2024.
Kalimi në një fazë më të lartë
Më rënien e fuqisë punëtore, por me kualifikimin e lartë të punonjësve aktualë fabrikat shqiptare të fasonerisë po konsiderojnë si mjet mbijetese kalimin në zinxhirët e prodhimit me vlerë të lartë.
Viti 2024 ishte një periudhë tranzicioni për një ndër fabrikat më të mëdha të prodhimit të këpucës për eksport, Pro-Dyn që drejtohet nga Eva Laro.
Fitimi para taksave ishte në nivel pozitiv, por mungesa e porosive optimale dhe luhatjet e euros e mbajtën biznesin larg potencialit të plotë.
Ndikimi pozitiv erdhi nga rritja graduale e porosive dhe pranimi i çmimeve më të larta nga klientët, një trend që u konsolidua vetëm në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.
Aktualisht kompania operon me kapacitet të plotë dhe znj. Laro është optimiste dhe e shikon 2025-ën me besim, falë një rritjeje prej 4–5 % në çmime dhe aktivizimit të një linje të re qepjeje që pritet ta çojë prodhimin në nivel të plotë.
Përtej sfidave të valutës dhe kostove fikse, biznesi duket i pozicionuar mirë për të kapitalizuar kërkesën e tregut dhe për të forcuar qëndrueshmërinë financiare.
Për të përballuar krizën që erdhi nga rritja e kostove dhe rënia e porosive, zonja Laro e transferoi prodhimin për një nivel më të lartë të klientëve.
Prej gati dy vitesh ajo kaloi me sukses fazën e testimit për prodhimin për markën e luksit “Prada”, ndërkohë që po zhvillon projekte të reja me Massimo Dutti, Gant, Birkenstock etj.
Industria e miellit në stanjacion
Për të dytin vit radhazi në renditjen e “Monitor 200” nuk ka asnjë shoqëri që ushtron aktivitet në industrinë e përpunimit të miellit.
Pas rritjes në vitin 2022, – që kryesisht erdhi nga shtrenjtimi i çmimeve, si rrjedhojë e situatës kaotike të krijuar pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë, që zhbalancuan tregun global të drithërave – në vitin 2023, të ardhurat e kompanive ranë ndjeshëm, dhe në 2024 u shënua përmirësim i lehtë.
Sipas deklarimeve të “Miell Tirana”, operatorit më të madh në treg, vështirësitë kryesore të hasura janë: rritja e kostove të energjisë dhe punës; rënia e fuqisë blerëse për shkak të inflacionit; vështirësi në arkëtimin e detyrimeve nga klientët debitorë; konkurrencë e fortë nga operatorë me praktika agresive çmimi, përfshirë produkte të importuara me cilësi më të ulët.
“Miell Tirana”, deklaroi të ardhura prej 2.1 miliardë lekësh në vitin 2024, me rritje 2%. “Viti 2024 ka qenë një vit me sfida dhe mundësi të reja për ‘Miell Tirana’ SH.A.
Rritja e kostove të lëndës së parë në bursat ndërkombëtare, inflacioni i përgjithshëm dhe presioni konkurrues në tregun vendas kanë ndikuar ndjeshëm në aktivitetin tonë.
Megjithatë, kompania ka ndërmarrë një sërë masash për të ruajtur pozicionin e saj si lider në sektorin e përpunimit të grurit dhe shpërndarjes së miellit në tregun shqiptar”, thuhet në raportin e aktivitetit.
“Po të analizojmë strukturën e shitjes në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023 si volum shitje, shohim që kemi rritje prej 4% në shitjen e miellit, gjithashtu një rritje prej 60% të grurit”.
“Atlas Mills” kishte të ardhura prej 1.7 miliardë lekësh, me rritje 7.7% me bazë vjetore.
“Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para tre vitesh, ka dalë nga renditja e më të mëdhave që në vitin 2022. Në 2024 ka raportuar rreth 1.2 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rënie 3.6%.
Industria e përpunimit të qumështit rritet me “ndihmën” e importit
Industria e përpunimit të qumështit ka vijuar rritjen edhe në 2024-n, ndonëse blegtoria nuk është në ditët e saj më të mira.
Kjo ka bërë që lënda e parë të sigurohet në një pjesë nga importi.
Sipas të dhënave të doganave, për 2024 u importuan 22,8 milionë litra qumësht, me një rritje të fortë prej 23% me bazë vjetore.
Edhe në vitin 2023, blerjet e qumështit nga jashtë ishin rritur me gati 19%.
Operatorët pohojnë se blejnë qumësht si lëndë të parë nga jashtë, kryesisht gjatë muajve të verës, pasi nuk plotësohen dot me prodhimin vendas nga fermerët.
Një tjetër arsye se pse ata i drejtohen importit lidhet me koston më të lirë të lëndës së parë, rreth 35-40% më pak sesa nga fermat në Shqipëri.
Rënia e numrit të bagëtive, e ndikuar kryesisht nga emigracioni, e shoqëruar me zinxhirin e shkëputur të industrisë, duke filluar nga ushqimi për kafshët, dhe mungesa e ekonomisë së shkallës (mbi gjysma e qumështit prodhohet në ferma me pak lopë, që nuk kanë efikasitet dhe teknologji moderne), kanë bërë që hallka e fundit e përpunimit, fabrikat, të varen gjithnjë e më shumë nga importi.
INSTAT raportoi se sasia e qumështit të grumbulluar ra me 6.6% në vitin 2024, duke arritur nivelin më të ulët historik, të paktën që nga 2014-a, kur raportohen të dhënat.
Që nga viti 2019, kur arriti nivelin maksimal, ky tregues ka ardhur vetëm me rënie.
Nisja e rënies përkon me ndryshimin e skemës së TVSH-së për bujqësinë. Deri në vitin 2017, rimbursimi i TVSH-së për përpunuesit ishte 20%, çka do të thotë se për çdo blerje të qumështit me faturë tatimore nga fermeri, përpunuesi mund të kreditonte këtë vlerë në TVSH-në e zbritshme.
Kjo skemë e bënte ekonomikisht të leverdishme blerjen edhe me çmim të lartë dhe siguronte marzh të qëndrueshëm fitimi për industrinë.
Nga viti 2019 deri në 2022, skema ndryshoi. TVSH në blerje (nga fermerët) u ul në 6%. Ndërsa TVSH-ja në shitje e produkteve të bulmetit mbeti 20%. Kjo krijoi pabarazi fiskale, pasi industria paguante më shumë në dalje sesa kreditonte në hyrje.
Prej vitit 2022, skema e TVSH-së së kreditueshme u hoq plotësisht, duke vendosur 0% TVSH të zbritshme për blerjet e qumështit nga fermerët. Operatorët pohojnë se menjëherë pas heqjes së skemës, pasojat u reflektuan te përpunuesit.
Nga 2019, me uljen e TVSH-së së kreditueshme deri në 2022, me heqjen e skemës, u rrit kostoja e prodhimit, sepse TVSH e paguar nuk kreditohet më dhe bëhet pjesë e kostos së lëndës së parë.
Të dhëna të tjera të Eurostat tregojnë se këto problematika i kanë bërë produktet e përpunuara të qumështit 31.5% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Sipas renditjes së Eurostat, Shqipëria është e katërta në Europë për çmimet më të shtrenjta të treguesit “qumësht, djathë dhe vezë”, pas Irlandës (171.7%), Zvicrës (147.2%), Norvegjisë (132%).
Në Europë, çmimet më të lira të bulmetit janë në Sllovaki (86% e mesatares së BE-së), Poloni (89.8%) dhe Maqedonia e Veriut (91.2%).
Çmimet e lira që ka Maqedonia e Veriut lidhen me politikat mbështetëse të subvencioneve që janë më gjithëpërfshirëse dhe të lidhura direkt me prodhimin e qumështit, ndërsa Shqipëria ka ende një model të kufizuar subvencionesh.
“Problematikat në sektorin e prodhimit të qumështit, fatkeqësisht, mbeten të njëjtat prej vitesh. Sot, sfida kryesore është kostoja e lartë e prodhimit në fermat vendase, që na e bën të vështirë të jemi konkurrues, sidomos në kushtet e një tregu të hapur”, thotë Luis Ndreka, administrator i ADG (ish-Lufta) përpunuesit të dytë më të madh në vend të qumështit.
Ai shton se nga ana tjetër, informaliteti i lartë vazhdon të mbetet një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit dhe për garantimin e sigurisë ushqimore.
Prandaj, është e domosdoshme që të vijojnë kontrollet nga institucionet përgjegjëse, me qëllim rritjen e formalizimit dhe përmirësimin e standardeve në të gjithë zinxhirin e prodhimit.
“Ajo që duhet në këtë moment është një strategji kombëtare e qartë, e ndërtuar në bashkëpunim me qeverinë, që të përcaktojë qartësisht se si do të përgatitemi për konkurrencën që na pret në momentin kur të hapen tregjet me Bashkimin Europian.
Duhet ta kuptojmë se ajo konkurrencë do të jetë shumë më e fortë dhe nëse nuk jemi të përgatitur, rrezikojmë seriozisht të mbetemi pas.
Pra, nëse duam një sektor të qëndrueshëm dhe konkurrues, duhet të punojmë paralelisht në disa drejtime: të ulim koston e prodhimit, të formalizojmë tregun dhe të ndërtojmë një strategji afatgjatë për integrimin në tregun europian”, pohon z. Ndreka.
Pavarësisht problematikave, fabrikat e mëdha të përpunimit të qumështit vijojnë me tendencën rritëse të të ardhurave, teksa kanë orientuar një pjesë të burimeve në blerjen e lëndës së parë nga importi, në një përpjekje për të ulur kostot.
Në të kundërt, operatorët më të vegjël kanë raportuar tkurrje në 2024-n.
“Erzeni sh.p.k” është më i madhi në këtë segment. Në vitin 2024, kompania raportoi të ardhura prej gati 2.5 miliardë lekësh, me rritje prej 13.5% me bazë vjetore.
“ADG” (ish-Lufra) është i dyti më i madh me të ardhura prej 2 miliardë lekësh, me zgjerim 12%. Kompania e ka rritur numrin e punonjësve me 20 persona duke e çuar në 261 në vitin 2024.
Luis Ndreka, administrator i kompanisë, pohon se rezultati në përmirësim vjen prej punës së shumë viteve dhe investimeve të duhura në kohën e duhur, si në teknologji, te fermerët me të cilët bashkëpunojmë dhe investimet në treg, ku kemi edukuar konsumatorin të konsumojë produkte të sigurta dhe të kontrolluara.
Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e rezultatit janë formalizimi i tregut dhe ndryshimi i preferencave të konsumatorëve, të cilët çdo vit e më shumë kërkojnë të konsumojnë produkte të kontrolluara dhe të certifikuara sipas standardeve”.
“Mireli” kishte të ardhura prej 380 milionë lekësh, me tkurrje 7.1% në krahasim me vitin e mëparshëm. Shoqëria ka 59 punonjës.
“Gjirofarma” raportoi 351 milionë lekë të ardhura, me një rënie prej 11% me bazë vjetore. Kompania numëron 55 të punësuar. Monitor.al