EKONOMI & MJEDIS /

Inflacioni në rritje, luksi nuk njeh krizë! Në vetëm 5 muaj, u importuan orë me vlerë mbi 3.2 milionë euro

Të dhënat tregojnë një zhvendosje të qartë të preferencës së konsumatorëve shqiptarë drejt orëve të klasit të lartë, duke lënë pas produktet ekonomike apo imitime të lirë. Në një treg që dikur dominohej nga marka të zakonshme dhe aksesorë të aksesueshëm për shumicën, tashmë po vendosin trendin markat prestigjioze si Rolex, Omega, TAG Heuer apo Hublot.

Shkruar nga Versus

 

Inflacioni në rritje, luksi nuk njeh krizë! Në vetëm 5 muaj,

Në një kohë kur inflacioni dhe rritja e çmimeve kanë prekur thellë buxhetet e familjeve shqiptare, një tjetër realitet tregon një kontrast të fortë me përditshmërinë ekonomike: shqiptarët po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për orë dore – jo çfarëdo ore, por marka të njohura ndërkombëtare, që shpesh herë kushtojnë sa një rrogë vjetore.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025 janë importuar rreth 325 milionë lekë orë dore, ose rreth 3.25 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo përfaqëson një rritje prej 27% në vlerë.


Por paradoksi që bie në sy është ky: sasia fizike e orave të importuara ka rënë. Gjatë kësaj periudhe janë futur në Shqipëri 34 ton orë dore, nga 44 ton që u importuan një vit më parë. Pra, më pak orë – por shumë më të shtrenjta.

Luksi nuk njeh krizë

Të dhënat tregojnë një zhvendosje të qartë të preferencës së konsumatorëve shqiptarë drejt orëve të klasit të lartë, duke lënë pas produktet ekonomike apo imitime të lirë. Në një treg që dikur dominohej nga marka të zakonshme dhe aksesorë të aksesueshëm për shumicën, tashmë po vendosin trendin markat prestigjioze si Rolex, Omega, TAG Heuer apo Hublot.

Sociologët e lidhin këtë fenomen me rritjen e nevojës për status social dhe identitet të jashtëm, sidomos mes një grupi të caktuar të klasës së mesme në ngjitje apo elitës së re urbane. Ora është kthyer në një simbol i dukshëm i suksesit personal, më shumë se një pajisje për matjen e kohës.

Në linjë me rritjen e importit të makinave luksoze, që gjithashtu ka shënuar rritje vit pas viti, ora duket se është bërë një tjetër aksesor i padiskutueshëm i imazhit personal. Në një vend ku papunësia mbetet shqetësuese dhe mijëra qytetarë emigrojnë çdo vit për një jetë më të mirë, ky kontrast mbetet një pasqyrë e qartë e ndarjes së fortë ekonomike dhe kulturore mes shtresave.

Shqipëria duket se po ndjek një trend ndërkombëtar ku luksi nuk ndalet as në kohë të vështira, dhe ku për disa qytetarë, koha nuk matet me sekonda – por me ar dhe prestigj. /Versus.al

Tags:

ore luks

Poll