Vala e krizës së çmimeve në Shqipëri mund të rikthehet. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka paralajmëruar se tensionet gjeopolitike dhe mundësia e rritjes së barrierave dhe tarifave tregtare, një politikë e ndjekur nga Donald Trump, mund të kenë pasoja negative për rritjen ekonomike dhe inflacionin.
Sejko theksoi se, për momentin, balanca e rreziqeve është neutrale, por tensionet gjeopolitike dhe mundësia e rritjes së tarifave tregtare mund të ndikojnë negativisht në rritjen ekonomike dhe inflacion. Ai shtoi se, edhe nëse konfliktet nuk përshkallëzohen, çmimet në Shqipëri pritet të rriten më shpejt në muajt në vijim.
Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, kërkesa dhe oferta e mallrave dhe shërbimeve do të balancohet më mirë, kursi i këmbimit do të jetë më i qëndrueshëm dhe inflacioni do të ulet në vendet partnere tregtare. Ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe afër potencialit të saj në afatin e mesëm.
Megjithë këto shqetësime dhe rritjen e inflacionit, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërmend të ndryshojë politikën monetare në afat të shpejtë. Norma e interesit për lekun do të mbetet në 2.75% për momentin. Sejko vuri në dukje se balanca e presioneve inflacioniste është afruar gradualisht drejt objektivit të inflacionit të Bankës së Shqipërisë. Vendimet e ardhshme të politikës monetare do të varen nga informacionet e reja dhe vlerësimet mbi presionet e brendshme inflacioniste.
Pavarësisht shqetësimeve për inflacionin dhe mundësitë e tensioneve ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë parashikon që ekonomia e vendit do të përjetojë një vit me rritje pozitive dhe një sektor bankar të shëndetshëm. /Versus.al/
