Tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri po përjeton një rritje të ndjeshme të interesit nga blerësit e huaj, me të dhëna që tregojnë se gati 1 në 5 apartamente të shitura në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024 u blenë nga jorezidentë.
Sipas një vrojtimi të fundit të Bankës së Shqipërisë, nga 863 prona të shitura gjatë kësaj periudhe, 18% janë blerë nga qytetarë të huaj, shumica dërrmuese prej të cilëve – 77% – vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Kjo shifër konfirmon një tendencë në rritje të interesit të të huajve për tregun shqiptar të banesave, veçanërisht për zonat me potencial turistik dhe jetesë të përballueshme.
Destinacionet më të preferuara janë zona bregdetare, si: Saranda, Vlora dhe Durrësi. Po ashtu dhe periferitë e Tiranës, ku çmimet janë ende më të përballueshme sesa në qendër, por me akses të mirë urban.
Raporti i Bankës Qendrore tregon se koha mesatare e shitjes në Tiranë është ulur ndjeshëm në 7.1 muaj, nga 9.7 muaj që ishte më parë. Në qytetet e tjera, kjo kohë është rreth 11.6 muaj. Ky tregues reflekton një kërkesë të lartë, për të cilën edhe agjentët në tregun e pasurive të palajtshme thonë se mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e çmimeve.
Të huajt që blejnë prona në Shqipëri përfaqësojnë një profil të larmishëm:
Evropianë të moshës së tretë, që kërkojnë vend për të jetuar pas pensionit.
Freelancer apo “nomadë digjitalë”, që kërkojnë strehim të përballueshëm pranë detit.
Investitorë, që blejnë apartamente për t’i dhënë me qira sezonale.
Shqiptarë të diasporës, që kthehen për të investuar në vendin e tyre. /Versus.al/







