“Kemi nisur punën për referencat e reja, do të konkludojmë brenda 40-45 ditëve të ardhshme këtë, do të ndërtojmë një proces që rivlerësimi të jetë i hapur një vit, fundshtatorin me fundshtatorin dhe ndërkohë duhet të jetë e qartë dhe diçka tjetër se rivlerësimi i parë është bërë me 1 përqind, i dyti me 3 dhe i treti do të jetë me 5 përqind”
Ishte kjo deklarata e Kryeministrit Rama në mesin e muajit korrik të vtit 2024, i cili njoftoi se procesi i rivlerësimit të pronave në të gjithë territorin e Shqipërisë do të niste në muajin shtator, të vitit të kaluar. Por, pengesë për ecjen përpara të kësaj nisme të qeverisë janë bërë mungesa e kryerjes së “detyrave të shtëpisë” nga ana e bashkive në vend, të cilat nuk kanë arritur ende të përcaktojnë çmimet e references për pronat, sipas zonave të caktuara.
Megjithatë, burime zyrtare njoftojnë për Versus.al se ky process do të nisë brenda 3 muajve të ardhshëm.
Pas vendosjes së çmimeve të pronave, përfshirë këtu njësi banimi edhe biznesi do të nisë edhe rivlerësimi pasi të dy proceset do të ecin në mënyrë paralele. Nga ky process qytetarët shqiptarë do të përafrojnë vlerën e pronës së tyre me çmimet e tregut.
Ndryshe nga më parë, rivlerësimi do të ketë normën e 5 përqind duke i akumuluae buxhetit të shtetit më shumë sesa 15 miliardë lekë, nëse do të miratohet. Krahas këtij përfitimi në arkën e shtetit, agjentët në tregun e pasurive të paluajtshme thonë për Versus.al se nga kjo nismë përfitojnë dhe qytetarët të cilët bëhen pjesë e procesit, pasi rritet vlera e pronës së tyre.
Po ashtu sipas operatorëve në këtë treg “mbajtja peng” e këtij procesi po penalizon shumë prej shitjeve në kryeqytet.
Rivlerësimi i fundit për Tiranën është bërë në 2023, ku nga ekspertët është vlerësuar se ka patur rritje deri në 30 përqind të vlerës së pronave në zonat më të “preferuara” nga banorët.
Kjo shtyrje duket se ka ndikuar në arkëtimin e parave, duke ulur shifrat ndjeshëm në 9 muajt e parë të 2024. Referuar shifrave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, në këtë periudhë janë arkëtuar më pak se 2 përqid e të Ardhurave nga Tatimi mbi Fitimin Kapital, duke sjellë një ulje prej 56 Milionë Euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Teksa “ngërçi” ende ngelen Bashkitë, si të majta por edhe të djathta, ky process do të tregojë nëse këtë herë do të reflektohen vlerat reale të pronave për rivlerësimin 2025.
