EKONOMI & MJEDIS /

Rikthehen komisionet në Kuvend! Miratohet rritja me 1 miliardë lekë e të ardhurave dhe shpenzimeve

Gjatë mbledhjes, komisioni miratoi gjithashtu programin dhe kalendarin e punimeve për vitin 2025, si dhe draft-kalendarin për raportimet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe atyre të varësisë, të cilat janë hedhur për konsultim publik.

Shkruar nga Versus

Rikthehen komisionet në Kuvend! Miratohet rritja me 1 miliardë

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi këtë të premte Aktin Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, i cili parashikon rritjen me 1 miliard lekë të të ardhurave dhe shpenzimeve, pa prekur nivelin e deficitit buxhetor.

Akti u prezantua nga zëvendësministri i Financave, Florian Semani, dhe u relatua nga deputeti Eduard Ndreca. Semani sqaroi se shtesa buxhetore reflekton performancën pozitive të të ardhurave dhe do të përdoret për financimin e prioriteteve pa ndikuar në balancat fiskale.

Gjatë mbledhjes, komisioni miratoi gjithashtu programin dhe kalendarin e punimeve për vitin 2025, si dhe draft-kalendarin për raportimet vjetore të institucioneve kushtetuese dhe atyre të varësisë, të cilat janë hedhur për konsultim publik.

Një tjetër pikë kyçe e diskutimit ishte projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën për Themelimin e Zyrës Evropiane të Komunikacioneve (ECO)”, e prezantuar nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj. Sipas saj, anëtarësimi në këtë konventë do të sjellë përfitime konkrete në zhvillimin e infrastrukturës së telekomunikacionit dhe forcimin e kapaciteteve teknike në këtë fushë.

Komisioni shqyrtoi edhe disa marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë:
Marrëveshjen e huasë me Fondin për Zhvillim të Abu Dhabi-t për mbështetjen e buxhetit të përgjithshëm,

Marrëveshjen me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin “Doganat” për bashkëpunim doganor,
 Marrëveshjen për bashkëpunimin mbi sigurinë dhe mbështetjen afatgjatë me Ukrainën,
 Si dhe marrëveshjen sipas Konventës së OKB-së për të drejtën e detit, që synon ruajtjen e biodiversitetit detar përtej juridiksionit kombëtar.

Projektligjet u prezantuan përkatësisht nga zëvendësministrat Florian Semani, Sofjan Jaupaj dhe Endrit Yzeiraj, ndërsa u relatuan nga deputetët Eduard Ndreca dhe Denis Deliu. Të gjithë relatorët theksuan rëndësinë e nismave, përputhshmërinë e tyre me legjislacionin në fuqi dhe përfitimet strategjike për Shqipërinë në kuadër të integrimit evropian dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. /Versus.al/