EKONOMI & MJEDIS /

Supermarketet, në “luftë” me njëri - tjetrin dhe të vegjlit

Industria e tregtisë me pakicë në vend po përjeton ndryshime të lidhura me hyrjen e markave të reja apo shitblerje të atyre ekzistuese duke ndryshuar “arkitekturën” e deritanishme të saj.

Shkruar nga Versus
Supermarketet, në “luftë” me njëri - tjetrin dhe
Foto ilustruese

Industria e tregtisë me pakicë në vend po përjeton ndryshime të lidhura me hyrjen e markave të reja apo shitblerje të atyre ekzistuese duke ndryshuar “arkitekturën” e deritanishme të saj. Përfaqësues të zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në vend pohojnë se këto ndryshime do të kenë efekt pozitiv në konkurrencë dhe ofertë për konsumatorin, por ambienti do të jetë më sfidues për operatorët e tregut. Emigracioni shihet nga ana tjetër si pika që ka sjellë me vete një sërë pasojash, duke nisur nga rënia e konsumit e deri te mungesa e fuqisë punëtore, teksa turizmi është një nga motorët kryesorë të nxitjes së konsumit në pikun e sezonit. Ndryshimet klimatike dhe betejat tarifore janë dy aspekte të tjera, që po ndikojnë kostot globalisht dhe ku Shqipëria, pavarësisht një neutralizimi të pjesshëm si efekt i deflacionit, nuk mund të jetë tërësisht imune.

Hyrja e aktorëve të rinj të shitjes me pakicë, sikurse është deklaruar tashmë rrjeti gjerman LIDL, apo shitja e “Spar Albania” te grupi “Viva Fresh Store”, kanë lëvizur ujërat në këtë treg në vend.

Me këto zhvillime, pyetja që lind natyrshëm është ajo për hapësirat që ofron tregu shqiptar për rritje në kushtet kur faktorët e brendshëm, por edhe ata të jashtëm, janë në evoluim të vazhdueshëm.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se të ardhurat nga shitjet neto në tregtinë me pakicë ishin 461 miliardë lekë në vitin 2023, apo 4.6 miliardë euro.

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të zinxhirëve të organizuar, tregu vijon ende të jetë i fragmentizuar.

Sipas të dhënave nga xhiro e 7 supermarketeve më të mëdha në vend, ato zinin rreth 10% të tregtisë me pakicë, sa i takon të ardhurave nga shitjet neto. Gjithsesi, vitet e fundit rrjetet e organizuara po forcohen.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023 kishte 30 mijë ndërmarrje në tregtinë më pakicë, nga 35 mijë në vitin 2015, ndonëse qarkullimi vjetor i këtij sektori ishte më se dy herë më i lartë në raport me atë periudhë.

Edhe numri i të punësuarve me pagesë është rritur, nga 19 mijë në 2015-n, në 43 mijë në fund të vitit 2023. Norma e fititimit të sektorit luhatet midis 7-8.5%, sipas anketës strukturore të INSTAT.

Një nga sektorët që duket se po nxit zgjerimin e industrisë retail është turizmi, ku operatorët pranojnë se shitjet sezonale, sidomos gjatë periudhës kryesore turistike, që konsiderohet ajo maj-shtator, kanë nxitur zgjerimin e ofertës, kapaciteteve logjistike dhe pikave në zonat me frekuentimin më të lartë me vizitorë.

Shqipëria, e promovuar ende si një vend me kosto të lirë për të pushuar, tërheq vetvetiu segmentin e turistëve që parapëlqejnë t’i mbajnë shpenzimet nën kontroll. Është profili i turistit që kërkon apartament, ushqim të blerë në markete dhe zgjidhje ekonomike transporti.

Ecuria pozitive e turizmit duket se ka shërbyer si një baraspeshë për emigracionin, i cili u theksua dukshëm sidomos në periudhën e parë post-pandemi. Të dhënat e fundit të Censit të publikuara nga INSTAT treguan se Shqipëria ishte mpakur në raport me Censin e mëparshëm me disa qindra mijë persona.

Zyrtarisht, në vend, jetojnë 2.4 milionë shqiptarë nga 2.8 milionë që rezultonin në Censin e 2011. Tregtia me pakicë është një sektor që planet e biznesit i zhvillon ngushtë me lëvizjet demografike në vend, në një përpjekje për të investuar aty ku ndodhet konsumatori.

Lëvizjet e brendshme, ku tendenca është sërish nga zonat rurale drejt atyre urbane apo zonave të reja të urbanizuara që kanë fituar dendësi viteve të fundit kanë sjellë që operatorët të përshtaten edhe me këto zhvillime.

Shitjet në rrjetin e dyqaneve të specializuara të ushqimeve e pijeve janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Indeksi i vlerës për grupin Ushqime pije e duhan në njësi tregtare të specializuara, në fund të vitit 2024 ishte 175% me një rritje prej 75 pikë përqindje në raport me vitin 2021 kur ky indeks shënonte vlerën 100 për qind.

Hyrja e LIDL, AIDA: Investimi i pritshëm 120 milionë euro, 2800 vende pune

Në shtator të vitit të shkuar, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve njoftoi se rrjeti më i madh i supermarketeve gjermane LIDL kishte shfaqur interes për tregun shqiptar.

Në atë kohë, AIDA deklaroi se së bashku me Autoritetin Portual të Durrësit (APD), po asistonte prej shumë kohësh kompaninë gjigante të shitjes me pakicë, “Lidl”, në zgjerimin e aktivitetit të saj në Shqipëri.

“Me më shumë se 12,200 dyqane në 31 vende dhe mbi 376,000 punonjës, ‘Lidl’ është një nga liderët më të mëdhenj në industrinë e shitjes me pakicë në Europë.

Ky investim i rëndësishëm nga ‘Lidl’ do të sjellë ndryshime të mëdha në ekonominë lokale duke krijuar vende të reja pune dhe duke ofruar mundësi për prodhuesit dhe furnizuesit shqiptarë.

Kompania ka identifikuar Shqipërinë si një treg me potencial të madh, duke e vlerësuar për miratimin e lartë të konsumatorëve ndaj produkteve të cilësisë së lartë dhe çmimeve konkurruese që ofron”, – do të thuhej në një njoftim të shkurtër të AIDA.

Në një deklaratë të dytë në komisionet parlamentare, përfaqësuesja e AIDA-s, Laura Plaku (Saro) nënvizoi se investimi i pritshëm nga “Lidl” në vendin tonë parashikohet të jetë 120 milionë euro dhe të hapë 2800 vende pune.

Sfidat e tregut, nga kostot në rritje tek emigracioni, si po ndikojnë në industri

Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve po ndiejnë trysninë e faktorëve të jashtëm dhe të brendshëm, që ndikojnë aktivitetin e tyre të përditshëm.

Kostot e rritura në disa aspekte, ngërçet që mund të krijohen në zinxhirët e furnizimit si efekt i zhvillimeve globale gjeopolitike apo klimatike kanë rolin e tyre ashtu sikurse edhe tendenca e shtrenjtimit të kostove të punës nxitur nga mungesa e kapitalit human.

Përfaqësues të “Big Market” i përmblodhën sfidat me të cilat përballet tregu në katër pika.

Së pari, rritja e kostove operacionale dhe inflacioni i vazhdueshëm, që ndikojnë drejtpërdrejt si te furnitorët, ashtu edhe te çmimet për konsumatorët.

Së dyti, kërkesat në rritje të konsumatorëve për cilësi, produkte të shëndetshme dhe të certifikuara, që kërkojnë investime të vazhdueshme në auditim, kontroll cilësie dhe standarde ndërkombëtare.

Së treti, konkurrenca në rritje dhe hyrja e aktorëve të rinj, që shpesh vijnë pa një strategji të qartë afatgjatë. Së katërti, sfida globale në zinxhirët e furnizimit.

Nga ana tjetër, Alessandro Rosa, administrator i “Conad Albania”, analizon se emigracioni është pikënisja e disa sfidave të lidhura qoftë me konsumin, edhe me kapitalin human.

“Jemi dëshmitarë të një diaspore të vazhdueshme që redukton popullsinë dhe rrjedhimisht, edhe numrin e konsumatorëve potencialë vendas, të cilët do të mund të mbështesnin rritjen e mëtejshme të tregtisë me pakicë.

Një tjetër aspekt negativ i emigracionit është zvogëlimi i ofertës për personel në moshë pune, në të gjitha nivelet – nga më të ulëtat deri te pozicionet drejtuese, edhe pse, në përgjithësi, në vendet me flukse emigratore – si Italia – largohet kryesisht personel me nivel të mirë arsimor.

Kjo e vështirëson gjetjen e punonjësve të kualifikuar që mund të marrin përsipër role kyçe dhe zhvillimore”, – vlerëson z. Rosa.

Ai nënvizon se rritja e pagave në afatshkurtër krijon vështirësi për industrinë por pavarësisht kësaj, vlerëson faktin që ajo rrit standardin e jetesës së qytetarëve.

Edhe deflacioni ku zhvlerësimi i Euros ka sjellë ndikimet e saj. “Vitet e fundit, teksa Leku është forcuar kundrejt Euros, për shembull në vitin 2024 ka shkuar nga 104 lekë për euro në 98 lekë për euro, kostoja e mallrave në Lek është ulur.

Kjo pati pasoja në çmimet e shitjes me pakicë, për rrjedhojë, me të njëjtat vëllime, xhiroja e krijuar në shitjet me pakicë është më e ulët se një vit më parë, pra 2023. Për shembull, për ‘Conad’, viti 2024 u mbyll me një deflacion të brendshëm prej -2.93%”, – thekson ai.

Turizmi dhe lëvizjet e brendshme ndikojnë planet e investimit

Lëvizjet e brendshme migratore analizohen në mënyrë periodike nga ana e rrjeteve të shitjes me shumicë dhe pakicë për të shkuar aty ku ndodhet konsumatori. Zinxhirët e supermarketeve pranojnë se epiqendër e investimeve mbeten qendrat e mëdha.

“Në lidhje me lëvizjet e brendshme migratore, vërehet një zhvendosje e popullsisë nga zonat rurale drejt qyteteve më të mëdha. Ky fenomen shtyn drejt investimeve më të mëdha në qendra më të mëdha si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra etj., ulje të pranisë në fshatra dhe zona që po boshatisen e shpopullohen.

Kjo dinamikë ka efekte të dukshme edhe në formësimin e ofertës tregtare në supermarkete, ashtu siç ndodh në zonat me fluks të lartë turistik, sidomos ato bregdetare”, – pohon z. Rosa nga “Conad Albania”.

Turizmi, sipas tij, mbart me vete edhe sfidën e menaxhimit të produkteve të freskëta me jetëgjatësi të shkurtër, si dhe furnizimin e duhur me mallra gjatë sezonit veror, kur kërkesa për produkte ushqimore rritet ndjeshëm, por njëkohësisht ka kufizime në hyrjen e mjeteve transportuese në porte.

Në të njëjtën linjë ishin edhe përfaqësues të “Big Market” që pohuan se turizmi është një nga motorët kyç të rritjes së konsumit në vend gjatë sezonit.

“Turizmi është një faktor kyç dhe motor shtytës për rritjen sezonale të shitjeve tona. Me strategji të qarta dhe të strukturuara për sezonin turistik, ne investojmë në rritje të stokut, stafit dhe gamës së produkteve në zonat bregdetare dhe atraksionet turistike.

Ndërkohë, emigracioni dhe urbanizimi kanë ndikuar në zhvendosje të kërkesës drejt qyteteve të mëdha, duke na orientuar në zgjerimin e rrjetit në zona urbane si Tirana, Durrësi, Fieri dhe Elbasani.

Ne ndjekim tendencat demografike në kohë reale, duke marrë vendime të drejtuara nga të dhënat”, – thanë të njëjtët.

Një treg me lëvizje, a ka vend për më shumë aktorë

Industria retail në vend është përfshirë vitin e fundit nga një seri zhvillimesh që lidhen si me hyrjen e aktorëve të rinj, ashtu edhe me shitblerje duke e bërë atë një treg dinamik ku natyrshëm lind pyetja mbi potencialin që shohin aktorët e rinj por edhe ata ekzistues.

Por cili është realisht potenciali që ka ky treg në syrin e markave ekzistuese?

“Tregu shqiptar ka hapësirë, por vetëm për ata që janë të përgatitur, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt cilësisë.

Rritja e numrit të operatorëve është e natyrshme, por nuk mjafton të kesh vetëm prani – duhet të kesh përvojë, standarde, besnikëri të konsumatorëve dhe kapacitet menaxhues”, – thanë përfaqësues të “Big Market” në lidhje me formën e re që pritet të marrë tregu.

Për administratorin e “Conad Albania”, tregu shqiptar ka hapësira për marka të tjera dhe ndikimi është vetëm pozitiv në aspektin e konkurrencës, por sigurisht me një popullsi të tkurrur, gara bëhet me sfiduese.

“Në përgjithësi, zhvillimi i tregut me pakicë sjell me vete hyrjen e markave gjithnjë e më konkurruese dhe kjo përfaqëson një element pozitiv për sektorin, si për konsumatorin i cili përfiton nga konkurrenca, ashtu edhe për operatorët ekzistues, të cilët nxiten të përmirësohen vazhdimisht.

Sigurisht, një treg i vogël dhe disi në tkurrje si ai shqiptar mund të jetë i vështirë për disa operatorë të mbijetojnë nëse nuk arrijnë të përshtaten dhe të rinovohen.

Besoj se hapësira ekziston, veçanërisht nëse kompanitë janë në gjendje të diferencojnë ofertën e tyre tregtare duke gjetur përgjigje të reja për nevojat gjithnjë në zhvillim të klientëve të tyre”, – shprehet z. Rosa.

Zinxhirët e mëdhenj të supermarketeve operojnë me norma relativisht të ulëta fitimi, të ndikuara si nga lloji i aktivitetit, ashtu edhe nga niveli i lartë i informalitetit në tregun e paorganizuar të pakicës.

Por dy vitet e fundit, ato kanë parë përmirësim të rezultatit financiar, i ndikuar nga përmirësimi i konsumit, i nxitur nga turizmi dhe efektit amortizues që ka dhënë rëni a e Euros në blerjen e mallrave të importit.

Njësitë e organizuara të shitjes me pakicë po marrin gjithnjë e më shumë tregun e dyqaneve të vogla, duke rritur me shpejtësi të ardhurat vitet e fundit.

Në të njëjtën linjë po zgjerohen dhe fitimet e njëkohësisht po përmirësohen dhe normat e kthimit, të ndihmuara dhe nga Euro e dobët.

“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, kishte të ardhura të konsoliduara sipas të dhënave zyrtare, rreth 26.6 miliardë lekë, me rritje 8.7% në krahasim me vitin e kaluar. Fitimet u rritën me 28%, në 1.5 miliardë lekë.

Norma e kthimit u përmirësua në 6.7%, nga 5%, vitin e mëparshëm. Rrjeti i supermarketeve të “Big Market” ka njohur rritje të shpejtë vitet e fundit, duke arritur në 180 pika.

Burime zyrtare nga kompania thanë se ndikim ka dhënë dhe zgjerimi i sektorit joushqimor me një gamë të gjerë – tekstile, kancelari, kopshtari etj.

-Rrjeti i supermarketeve “SPAR Albania”, është zinxhiri i dytë më i madh i supermarketeve në vend. Sipas burimeve nga kompania, të ardhurat e konsoliduara të rrjetit SPAR rezultojnë 18.8 miliardë lekë në vitin 2023, me rritje 16% me bazë vjetore.

Fitimi para tatimit në total i konsoliduar ishte 890 milionë lekë, me rritje 37% me bazë vjetore. Norma e fitimit u përmirësua në 4.7%, nga 4% vitin e mëparshëm.

Në fund të vitit 2023, rrjeti “SPAR” në Shqipëri numëronte 80 markete, 38 markete të operuara nën menaxhimit direkt nga “SPAR Albania” dhe 42 markete, nën menaxhimin me partneritet Franchise, sipas raportit të aktivitetit.

-“Conad Albania” raportoi të ardhura prej gati 4.1 miliardë lekësh në 2023, me rënie prej 5.3% në krahasim me vitin e mëparshëm. Ndërsa të ardhurat ranë, fitimet u rritën me 9.2%, në 594 milionë lekë. Edhe norma e fitimit u përmirësua në 14.4%, nga 12.2% vitin e mëparshëm.

Kompania pohon se kursi i këmbimit Lek – Euro (monedha kryesore e blerjes e përdorur nga kompania) ka pësuar rënie dhe për pasojë, ulja e çmimeve ka rritur blerjen mesatare, duke e përkthyer atë në volume.

“Çmimet e konsumit në vitin 2023 kanë shënuar rënie në krahasim me një vit më parë, për shkak të ndryshimit të kursit të këmbimit, por vlerat e shitjeve janë kundërbalancuar nga rritja e konsumit”, thuhet në raportin vjetor.

“Extramarket”, riti të ardhurat me 15.2%, në 2.6 miliardë lekë në 2023-n. Fitimet ishin 167 milionë lekë, ose 33% më të larta, me një normë prej 6.4%.

Sipas raportit të aktivitetit, kompania ka bërë investime në infrastrukturë dhe magazina dhe ka riorganizuar shpërndarjen, transportin e kontrollin e punës, duke mundësuar rritjen e kapaciteteve tregtuese.

Rrjetet e tjera, ndonëse kanë rritur ndjeshëm qarkullimin vjetor, vijojnë të rezultojnë me fitime minimale.

“Diambe” raporti në vitin 2023 rritje të fortë me 40%, në 3.8 miliardë lekë. Fitimet ishin 145 milionë lekë në 2023, me zgjerim prej 30%. Zinxhiri i marketeve zbaton konceptin e “discount” në vend dhe ka filluar aktivitetin në vitin 2014.

-“Eco Market Food”, me aktivitet në fushën e prodhimit, magazinimit dhe tregtimit të prodhimeve e ushqimeve blegtorale e bujqësore, raportoi të ardhura rreth 3.4 miliardë lekësh në vitin 2023, me rritje prej 5.7% me bazë vjetore.

Rezultati para taksave ishte 95 milionë lekë, me rritje të lehtë në krahasim me vitin e kaluar.

“Hysen Xhangolli”, shoqëria që menaxhon rrjetin e supermarketeve “Xhangolli” raportoi të ardhura prej 3.7 miliardë lekësh, me zgjerim prej 65%, pas rritjes me 38% vitin e mëparshëm.

Por, fitimet ishin minimale prej 15 milionë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitin e mëparshëm.

Pritet hyrja në treg e “Lidl”

Tregu i njësive të organizuara të shitjes me pakicë pritet të zhvillohet dhe më tej, teksa po bën gati infrastrukturën për të hyrë zinxhiri me origjinë gjermane i dyqaneve ushqimore me zbritje “Lidl”, që aktualisht vepron në 31 shtete dhe ka mbi 12.5 mijë njësi shitjeje.

“Viva Fresh Store” e Kosovës hyn në Shqipëri pas blerjes së “Spar Albania”

Kompania nga Kosova, “Viva Fresh Store” njoftoi zyrtarisht në mars se kishte arritur një marrëveshje për blerjen e “Spar Albania” nga grupi shqiptar BALFIN.

Sipas njoftimit publik të kompanisë, investimi synon të rrisë praninë e grupit në tregun shqiptar dhe të sjellë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë e të dyja vendeve, duke krijuar vende të reja pune, duke fuqizuar prodhuesit vendas dhe duke modernizuar industrinë e shitjeve me pakicë. Vlera e transaksionit nuk është bërë publike.

“Viva Fresh Store” zotëron rrjetin më të madh të shitjeve me pakicë në Kosovë dhe zotërohet nga biznesmeni nga Kosova, Xhevdet Rexhepi. Rrjeti është i pranishëm në aktivitetin e shitjeve me pakicë në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, nëpërmjet markave “Viva Fresh Store” dhe “Super Kit Go”.

Vitin e kaluar, z. Rexhepi bleu nëpërmjet kompanisë së tij “SMA Holding” edhe “Top Shop” (Studio Moderna), kompaninë më të hershme të shitjeve nëpërmjet kanaleve elektronike (kryesisht televizionit) në Shqipëri, Kosovë, Malin e Zi dhe në Maqedoninë e Veriut.

Duke përfshirë të gjithë rrjetin e franchise, të ardhurat e konsoliduara të “Spar Albania” arritën në 18.8 miliardë lekë, në rritje vjetore me 16%, duke e renditur në operatorin e dytë më të madh në vend, pas BIG Market, që ka të ardhura totale prej 26.6 miliardë lekë.

Ndërsa fitimi para tatimit i rrjetit Spar ishte 890 milionë lekë, 37% më shumë krahasuar me 2022. Norma e fitimit nga xhiroja për të gjithë rrjetin “Spar Albania” arriti në 4.7%, nga 4% një vit më parë.

Sipas informacionit zyrtar të “Spar Albania”, në fund të 2024-s, rrjeti i saj përbëhej nga 90 markete dhe dy hipermarkete. Për grupin BALFIN, të kontrolluar nga biznesmeni shqiptar Samir Mane, kjo është shitja e dytë e rëndësishme në tregun e retail.

Në vitin 2007, z. Mane e shiti rrjetin e tij të shitjeve me pakicë “Euromax” te kompania serbe “Delta Maxi Group”, për 29 milionë euro.

Kompania ndryshoi kontroll më vonë, pasi grupi serb u ble nga kompania belge “Delhaize Group” dhe më pas nga një “joint venture” greko-francez, nën markën e grupit “Carrefour”.

Megjithatë, ish-rrjeti “Euromax” ndoqi një trajektore rënëse, derisa në vitin 2015, “Carrefour” u tërhoq përfundimisht nga tregu, duke ia shitur rrjetin e dyqaneve me pakicë grupit BALFIN të Samir Manes.

Më tej, BALFIN lidhi një marrëveshje me grupin me qendër në Holandë, “Spar”, duke marrë ekskluzivitetin e franchise dhe produkteve të “Spar” për Shqipërinë. Monitor.al

Tags:

industria

Poll