
Një agjenci e sapoformuar e Pentagonit, e specializuar në mbledhjen e inteligjencës mbi kartelet e drogës, kontribuoi në operacionin në të cilin ushtria meksikane vrau bosin e drogës "El Mencho", tha një zyrtar ushtarak amerikan për Reuters.
Task Forca e Përbashkët Ndëragjenciale Kundër Kartelit (JIATF-CC), e cila përfshin disa agjenci qeveritare amerikane, u formua zyrtarisht muajin e kaluar me qëllim identifikimin e rrjeteve të karteleve të drogës që veprojnë përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.
Zyrtari amerikan, i cili foli për Reuters në kushte anonimiteti, nuk zbuloi detaje rreth informacionit që JIATF-CC u dha autoriteteve meksikane, duke theksuar se operacioni u krye nga forcat e armatosura meksikane.
Një ish-zyrtar amerikan, i cili foli gjithashtu në kushte anonimiteti, tha pa përmendur konkretisht JIATF-CC - se SHBA-të përpiluan një dosje të detajuar me informacion mbi Nemesio "El Mencho" Oseguera dhe ia përcollën atë Meksikës. Ai shpjegoi se "El Mencho" ishte shumë lart - nëse jo në krye - të listës së "shënjestrave" të SHBA-së në Meksikë.
Ministria e Mbrojtjes e Meksikës tha se autoritetet amerikane kishin kontribuar në operacion duke ofruar "informacion", pa dhënë detaje të mëtejshme. Burime qeveritare në Meksikë thanë se operacioni ishte planifikuar dhe kryer nga autoritetet meksikane, pa përfshirjen aktive të forcave amerikane.
Vrasja e "El Mencho" përfaqëson një fitore të madhe për Meksikën në luftën e saj kundër karteleve të drogës përgjegjëse për trafikimin e kokainës dhe fentanilit në Shtetet e Bashkuara.
Administrata Trump ka ushtruar presion të madh mbi presidenten meksikane Claudia Sheinbaum për të rritur goditjet ndaj karteleve të drogës, duke përfshirë kërcënimet për veprime ushtarake amerikane./Versus.al

