Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mesnatën e sotme mbyllet afati përfundimtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dorëzimin e listave të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. *Partitë kryesore politike e kanë lënë dorëzimin e listave për në orët e fundit, teksa të socialistët dhe demokratët do të mblidhen sot në selitë e tyre për të caktuar kandidatët përfundimtarë. *Kryebashkiaku i Kukësit, Albert Halilaj nuk ka dhënë dorëheqjen e tij nga posti për të kandiduar në listat e PS për deputet. *Ndërkohë që përgatitjet për listat e kandidatëve të PS janë ende në vazhdim, deri më tani tre kryebashkiakë janë dorëhequr nga postet e tyre për të kandiduar më pas si deputetë më 11 maj. *Partia e Lirisë konfirmon se në vend të kryetarit të tyre, Ilir Meta, i cili zgjodhi të garojë në listën e hapur të Tiranës, në Fier do të jetë kandidate në listën e mbyllur të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore”, Brunilda Haxhiu.
Partia e Lirisë zbulon emrin e kandidatës në listën e mbyllur të Fierit
Partia e Lirisë konfirmon se në vend të kryetarit të tyre, Ilir Meta, i cili zgjodhi të garojë në listën e hapur të Tiranës, në Fier do të jetë kandidate në listën e mbyllur të koalicionit “PD-Shqipëria Madhështore”, Brunilda Haxhiu.
Zyrtarizimi i kandidaturës së saj do të bëhet në mbledhjen e strukturave të PD.
“Partia e Lirisë ka garantuar përfaqësim të sigurt dhe dinjitoz gjinor, në mënyrën më të drejtë, sipas Statutit të saj, 50% - 50% dhe do të përfaqësohet në mënyrë shumë dinjitoze në Qarkun e Fierit, me një kandidaturë autoktone, Znj. Brunilda Haxhiu, Zv/Sekretare e Përgjithshme dhe Sekretare për Familjen dhe Kundër Shpopullimit.
Shprehim besimin se Qarku i Fierit, ndaj të cilit kemi shumë detyrime, do të mbështesë masivisht Znj. Brundila Haxhiu, si dhe një kandidaturë nga lista e hapur, propozuar nga Partia e Lirisë”, thuhet në deklaratën e PL.
“Nuk më kandidojnë se jam SPAK-ist”, deputeti Dashnor Sula lihet jashtë listave për zgjedhjet e 11 majit
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale ka bërë me dije se është lënë jashtë listave të kandidatëve për ligjvënës në zgjedhjet e 11 majit.
Sula shprehur revoltën e tij duke pretenduar për padrejtësi dhe se ky vendim për ta lënë jashtë listave nuk përputhet me aktivizmin e tij të vazhdueshëm në PD. Sipas tij, arsyeja e këtij përjashtimi është mbështetja që ka dhënë për SPAK, ndërsa ka ftuar mediat ta ndjekin në një konferencë për shtyp në orën 21:00.
Reagimi i plotë:
Listë fituese apo listë për një përfitues?!
Partia Demokratike ka hyrë në fazën finale të listës për betejën e 11 majit. Por a po respektohen kriteret e Statutit të PD dhe te trumbetuara ne media?!
Ndonëse 70-80% e kryesisë së PD defakto ishin kundër primareve, referuar statutit dhe insistimit të PD, primaret u zhvilluan. Si një deputet i qarkut të Elbasanit që përfaqësoj Bashkitë Elbasan, Peqin, Cërrik, Belsh dhe Gramsh, pas 4 vitesh deputet u futa me bindjen pa bërë kulisa të brendshme për të parë a kisha mbështetjen e demokratëve për ri përfaqësuar edhe një mandat. Faleminderit demokratëve, të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Gramshir e Belshit, dola i pari si më i votuar.
Në 4 vite si deputet kam denoncuar kontrabandën e naftës, braktisjen e bujqësisë e shumë të tjera.
Instituti i Studjimeve Politike më ka renditur disa herë te 10 deputetët më aktivë të Parlamentit në Opozitë Bërje.
Çdo ditë kam mbrojtur interesin e votuesve duke denoncuar në media dhe duke mbrojt edhe Partinë Demokratike.
Kam takuar mijëra Shqiptarë në diasporë në këto 2-3 muajt e fundit me një objektiv dhe dëshirë të vetme, ti bind të kontribojne për të bërë vendin e tyre të begatë. Jam pritur me shumë respekt siç edhe i vlersojë
Por, të dashur miq, sapo jam njoftuar se nuk do të jem pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit për një arsye të vetme; sepse jam “SPAKIST”.
Për asnjë moment gjatë kësaj legjislature nuk kam vënë në dyshim vetëm një gjë: mbështjetjen time në çdo dalje në foltoren e Parlamentit të strukturave të Reformës në Drejtësi, SPAK dhe GJKKO-së. Kam besuar dhe besuar dhe vazhdoj të besoj se ato po vazhdojnë ti bëjnë një shërbim të madh këtij vendi, kanë futur në burg njerëz me pushtet, që pak vite më parë as mund të mendoheshin se do të ishin në këtë situatë.
Për mua kjo është një medalje që më vendoset pas 3 mandatesh deputet, po të kihet parasysh se jam mbështetës i atyre strukturave të Drejtësisë, të cilat nga cdo sondazh i bërë, dalin si institucionet më të besuara në vend.
Për veten nuk kam asnjë keqardhje, kur e nisa këtë rrugë në 2005 as e kisha menduar se do rrija në politikë për 20 vjet. Të vetmen keqardhje e kam për demokratët e qarkut të Elbasanit dhe ata mijëra që kam njohur e takuar këto 2-3 muajt e fundit në Diasporë.
Në fund kam edhe një mesazh për ata që janë ngujuar në kullë e po bëjnë listën e qarkut të Elbasanit, jo kushdo që do të futet në atë listë të mbyllur mund t’i gëzojë votat e demokratëve të Elbasanit, Peqinit, Cerrikut, Belshit dhe Gramshit. Keq më vjen, por nuk i keni bërë mirë llogaritë… ftoj të gjithë demokratët që për më shumë të më ndjekin sot në orën 21:00 në media.
Përndryshe, Sula njihet si një ndër deputetët më aktivë të PD edhe në Kuvend ku shpesh herë deklaratat e tij në foltore janë bërë virale. Një prej tyre edhe lidhur me situatën në spitalin e Elbasanit ku denonconte sjelljen e mjekëve ndaj qytetarëve që nuk kishin mundësi ekonomike.
Ndërkohë, nuk ka asnjë reagim nga kryedemokrati Sali Berisha i cili në orën 17:00 mbledh kryesinë e më pas në orën 19:00 edhe këshillin kombëtar për detajet e fundit në listat e kandidatëve. Versus.al
U dorëhoq si kryebashkiak për të kandiduar si deputet, ja kush e zëvendëson Malajn në Mat

Myslym Zeneli do të jetë drejtojë bashkinë e Matit deri në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Vendimi u mor me shumicën e votave nga këshilli bashkiak pas dorëheqjes së dorëzuar nga kryebashkiaku Agron Malaj i cili do të kandidojë si deputet i PS në zgjedhjet e 11 majit.
Malaj mbante postin e kryebashkiakut për mandatin e dytë radhazi të cilin e fitoi në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Versus.al
“Më 11 maj t’u japim një Noc Rrok madhështor”, Rama për opozitën: Të thonë çfarë i bëmë vetes që e zgjuam
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me asambletë e PS në Vorë dhe Kavajë ku ka bërë thirrje për mobilizim më të madh për zgjedhjet e 11 majit.
Teksa foli për ndryshimet në qytetin e Vorës, Rama tha se nëse vendi anëtarësohet në BE, vlerat e pronës do të dyfishohen.
“Ishim duke parë këto zhvillimet këtu. Ju e shihni që Vora po bëhet një qytet tjetër. Nuk e harroj atë natë kur erdha pas tërmetit, njerëzit ishin të dëshpëruar komplet. Sot janë 400 e ca që janë futur në shtëpi, janë edhe 50 familje të tjera që kanë pasur nevojë por nuk kanë bërë aplikimet ne kohë asokohe.
Edhe apartamentet e reja, edhe kërkesat private për ndërtime. Qeratë janë rritur që do të thotë se ata që kanë apartamente i japin me qira. Vlera e pronës iu është rritur, kini parasysh që me hyrjen në BE, vlera e pronës dyfishohet”- tha Rama.
Mes të tjerash, nuk ngurroi të ironizonte edhe opozitën dhe komentuesit të cilët i shprehen se nuk do të arrijë fitoren më 11 maj. Sërish me shprehjen që e përdor shpesh, Rama tha se më 11 maj, PS duhet t’u japë të gjithë skeptikëve përgjigjen e merituar.
“Fokusohuni dhe bëni maksimumin këto 60 ditë. Që më 11 maj të nxjerrim edhe një merak tjetër. Se ngaqë më kanë dëgjuar mua që thosha Noc Rrokun, dalin ca profile fallco aty dhe shkruajnë do marrësh Noc Rrokun. Më ndhmoni që më 11 maj ne duhet t’u prezantojmë atyre një Noc Rrok madhështor. Që atyre tu cojmë një Noc Rrok aq madhështor që të thonë çfarë i bëmë vetes që zgjuam Noc Rrokun”- shtoi kryeministri. Versus.al
Listat e PS për zgjedhjet e 11 majit, kryebashkiaku i Kukësit nuk jep dorëheqjen nga posti
Kryebashkiaku i Kukësit, Albert Halilaj nuk ka dhënë dorëheqjen e tij nga posti për të kandiduar në listat e PS për deputet.
Pavarësisht se më herët u raportua se kryeministri Edi Rama i kishte kërkuar Halilajt të dorëhiqej nga posti me qëllim që të kandidonte si ligjvënës në qarkun verilindor, Halilaj siç duket nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Lista e kandidatëve për deputetë në Kukës do të kryesohet nga Eduart Shalsi, drejtuesi politik elektoral në Kukës.
Ndërkohë që përgatitjet për listat e kandidatëve të PS janë ende në vazhdim, deri më tani tre kryebashkiakë janë dorëhequr nga postet e tyre për të kandiduar më pas si deputetë më 11 maj.
Konkretisht kanë dorëzuar dorëheqjet:
Tërmet Peçi, kryebashkiak i Tepelenës
Ervin Demo, kryebashkiak i Beratit
Agron Malaj, kryebashkiak i Matit.
Në rastin e Halilajt, nuk dihet nëse vendimi për të mos dhënë dorëheqjen ka qenë i tij, apo ka pasur ndonjë ndryshim plani nga ana e Partisë Socialiste. Versus.al
Sot orët vendimtare për listat e kandidatëve, partitë politike mblidhen në selitë e tyre për detajet finale

Mesnatën e sotme mbyllet afati përfundimtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për dorëzimin e listave të kandidatëve në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Partitë kryesore politike e kanë lënë dorëzimin e listave për në orët e fundit, teksa të socialistët dhe demokratët do të mblidhen sot në selitë e tyre për të caktuar kandidatët përfundimtarë.
Rama mbledh kryesinë e PS në orën 19:00, ndërsa para kësaj mbledhje do të zhvillojë një takim me drejtuesin politik për diasporën, ministrin Taulant Balla për emra potencialë kandidatë nga emigrantët shqiptarë.
Më herët kreu i qeverisë, ka deklaruar se deputetët të cilët kanë të paktën një mandat do të jenë në terren për të marrë vota dhe do të kandidojnë në listat e hapura. Përjashtim bëjnë këtu vetëm drejtuesit politikë në qarqe të cilët do jenë në listat e mbyllura. Nga ana tjetër nuk dihet ende nëse Rama do të kandidojë vetë si deputet.
Në kampin blu, Berisha mbledh kryesinë në orën 17:00 ndërsa në orën 19:00 Këshillin Kombëtar për përcaktimin e kandidatëve në lista, një pjesë prej të cilëve morën vota në primaret e zhvilluara në qarqe të ndryshme.
Vetë Berisha pritet të kandidojë si deputet në Tiranë në listën e mbyllur, ndërsa 8 vende të sigurta në lista ua ka premtuar aleatëve të koalicionit opozitar “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”. Prej këtyre mandateve, 4 i merr Partia e Lirisë, 1 PR e Mediut, 1 Vangjel Dule dhe nga një për Idrizin dhe Partinë e Agron Dukës. Ilir Meta ngulmoi që të kandidonte në listën e hapur, edhe pse në burg prej tetorit të vitit të kaluar.
Tjetër koalicion në këto zgjedhje është ai i Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit me emrin “Nisma Shqipëria Bëhet” dhe ai i Enkelejd Alibeajt dhe Dashamir Shehit. Versus.al







