MAGAZINË /

Alarmi për sigurinë, Italia ndalon koncertet e Kanye West dhe Travis Scott

Vendimi erdhi pasi komuniteti hebre lokal kërkoi anulimin e koncertit të Kanye West

Shkruar nga Versus

Alarmi për sigurinë, Italia ndalon koncertet e Kanye West dhe Travis

Autoritetet italiane kanë ndaluar mbajtjen e koncerteve të Kanye West dhe Travis Scott, duke përmendur shqetësime për rendin publik dhe sigurinë.

Prefekti Salvatore Angieri njoftoi të premten se dy ngjarjet, të planifikuara të zhvilloheshin në korrik në qytetin verior italian Reggio Emilia, nuk do të mbahen. Vendimi erdhi pasi komuniteti hebre lokal kërkoi anulimin e koncertit të Kanye West.

Udhëheqësja e komunitetit, Nicoletta Uzzielli, u bëri thirrje autoriteteve lokale që shfaqja të zëvendësohej me një performancë që do ta kthente “muzikën në qendër si një forcë universalisht bashkuese”.

Kanye West ka shkaktuar reagime të ashpra për shkak të një sërë deklaratash antisemitike, raciste dhe pro-naziste, të cilat së fundmi çuan edhe në ndalimin e hyrjes së tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Reperi amerikan, i njohur tashmë me emrin Ye, ishte planifikuar të performonte së bashku me Travis Scott dhe artistë të tjerë si The Chainsmokers, Rita Ora dhe Swedish House Mafia.

Prefektura rajonale tha në një deklaratë se në vendim kanë ndikuar disa faktorë, përfshirë “anulimin e koncerteve të mëparshme të reperit amerikan në vende të tjera dhe rrezikun real të kundërprotestave”.

Sipas autoriteteve, një faktor shtesë ishte edhe afërsia kohore e dy eventeve, të planifikuara për 17 dhe 18 korrik në RFC Arena të Reggio Emilias, si dhe numri i madh i njerëzve që pritej të merrnin pjesë.

Edhe Travis Scott është përballur me kritika të forta pas tragjedisë në festivalin e tij Astroworld në Houston të Teksasit në vitin 2021, ku humbën jetën 10 persona të moshës nga 9 deri në 27 vjeç.

Mijëra të tjerë u lënduan kur shpërtheu paniku dhe turma, e tejmbushur përtej kapacitetit të lejuar, u shty drejt skenës gjatë performancës së reperit. Versus.al

Poll