Paris Saint-Germain vazhdon të shkruajë historinë e futbollit europian. Edhe pse këtë sezon nuk arriti të fitojë aq shumë trofe sa një vit më parë, skuadra e Luis Enrique ruajti atë më të rëndësishmin: Champions League.
Me triumfin në finalen ndaj Arsenalit në Budapest, PSG mbrojti kurorën europiane dhe u bë skuadra e nëntë në histori që arrin të fitojë Ligën e Kampioneve në dy sezone radhazi. Ky sukses konfirmon dominimin e klubit francez në arenën ndërkombëtare dhe e vendos atë mes elitës së futbollit europian.

Pas sezonit të jashtëzakonshëm 2024-2025, parisienët arritën të zgjasin mbretërimin e tyre edhe këtë vit, pavarësisht problemeve me dëmtimet, lodhjes së akumuluar dhe një përgatitjeje më të shkurtër. Edhe pse nuk fituan Kupën e Francës, ata siguruan titullin kampion në Ligue 1, duke vijuar dominimin në futbollin francez.
Nice hat ????#UCLfinal pic.twitter.com/QEzb24o7IK
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) May 30, 2026
Gjatë këtij sezoni, PSG shtoi në muzeun e trofeve edhe Superkupën e Europës dhe Kupën Interkontinentale, të fituara falë suksesit në Champions League të vitit 2025. Gjithashtu, në fillim të vitit 2026, parizienët fituan edhe Trofeun e Kampionëve ndaj Olympique Marseille, pas një ndeshjeje dramatike të vendosur me penallti.
Triumfi i fundit në Champions League përfaqëson trofeun e tretë madhor europian në historinë e klubit. Trofeu i parë kontinental u fitua në vitin 1996, kur PSG mposhti Rapid Vienën në finalen e Kupës së Kupave me rezultatin 1-0.
Paris est magique ❤️????#UCLfinal pic.twitter.com/Ja83Zd9vXh
— UEFA Champions League (@ChampionsLeague) May 30, 2026
Me 14 tituj kampionë të Francës, 16 Kupa të Francës dhe 14 Trofe të Kampionëve, PSG kishte prej kohësh një palmares të pasur. Megjithatë, ky sukses i ri në kompeticionin më prestigjioz të klubeve europiane i jep klubit parisien një status dhe prestigj edhe më të madh në historinë e futbollit botëror.
Pas dy triumfeve radhazi në Champions League, Paris Saint-Germain nuk konsiderohet më thjesht një fuqi e futbollit francez, por një nga perandoritë e reja të futbollit europian.

